“Vllaznia e sikletshme”, kapiteni Kotobelli: Nuk dalim pa pikë nga Shkodra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2023 | 21:45

“Vllaznia e sikletshme”, kapiteni Kotobelli: Nuk dalim pa pikë nga Shkodra

Teuta arriti të marrë fitoren e parë këtë sezon ndaj Skënderbeut me rezultatin 1-0 në “Niko Dovana” në ndeshjen e javës së 4-t të Superiores.

kotobelli

Në një intervistë për “Panorama Sport”, kapiteni i durrsakëve, Blerim Kotobelli, shprehet se pavarësisht se Teuta fitoi ekipin bëri një ndeshje të mirë, ku i mungoi goli i dytë për të “vrarë” takimin. Blerim Kotobelli kërkon përqendrim ndaj Vllaznisë, pasi përballë kanë një skuadër që kërkon të bëj mirë dhe nuk ka vend aspak për eufori.

Sa e rëndësishme ishte fitorja ndaj Skënderbeut?

Përpara kësaj ndeshjeje e kemi ditur se çfarë vështirësish na prisnin. Ishte një fitore që shërbeu shumë dhe për moralin në skuadër, por dhe nuk u rrezikuam në asnjë moment. Sulmuam dhe patëm shumë raste, teksa na mungon vetëm goli në pjesën e dytë që mund të vriste ndeshjen. E dinim që Skënderbeu do të mbrohej dhe do të luante me kundërsulm. Duhet ta harrojmë këtë ndeshje dhe të vazhdojmë përpara.

E shtuna vjen shpejt dhe përballë keni Vllazninë në Shkodër, një duel mjaft i sikletshëm?

Është një ndeshje e fortë. Ata kanë një skuadër shumë të mirë, na pret një kundërshtar i fortë dhe që kërkon të bëjë mirë. Por duhet të futemi në fushë të impenjuar, detajet e vendosin ndeshjen. Duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës, të tjerat i mendojmë më vonë.

Koha për ta përgatitur ndeshjen është e pakët, mendoni ekipi do të jetë gati për këtë 90-minutesh?

Unë jam i bindur që ekipi ka forcën, por dhe kurajën, që është më kryesorja dhe ka shpirtin e garës për t’u paraqitur në fushë sa më mirë të jetë e mundur. Ne e dimë që kemi përballë një kundërshtar të fortë, për mua personalisht është ekip i mirë, pavarësisht mungesës së rezultateve së fundmi. Ne jemi të përgatitur, duke parë angazhimin, por dhe shpirtin e garës që çunat japin në stërvitje dhe do të jetë një ndeshje shumë e fortë.

A mund të themi që një trepikësh në Shkodër mund të sjellë besim për vazhdimësinë?

Duhet ta kuptojmë që është një ndeshje e fortë dhe të gjithë çunat e dinë. Duhet të kalojmë nga kjo ndeshje për të shkuar te tjetra. Duhet të jemi 100% të përqendruar në grup dhe pastaj të mendojmë për ndeshjen e radhës. Siç kemi bërë gjithmonë, por besoj se të gjithë që janë në këtë skuadër do të japin maksimumin e tyre.

Statistikat tregojnë që ndaj Vllaznisë keni bërë mirë?

Statistikat vlejnë për të shkuarën, por futbolli është e tashmja. Do të bëjmë maksimumin, që të fitojmë këtë ndeshjes. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, duhet të përmirësohemi ndeshje pas ndeshjeje.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"