Viti horror mbyllet me turp për Interin e Stramës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2013 | 14:11

Viti horror mbyllet me turp për Interin e Stramës

InteriMe humbjen 5-2 në javën e fundit ndaj Udinezes, viti i Interit është pak të thuash shkatërrimtar. Lajmi i mirë është se më në fund gjithçka ka përfunduar dhe se ambienti zikaltër duhet të provojë ta fshijë sa më shpejt nga memoria këtë sezon të filluar me shpresa të mëdha, por të mbyllur në vendin e 9-të dhe jashtë kupave europiane. Ndonëse e keqja është se ky vit nuk mund të arkivohet shpejt, sepse tashmë është futur në histori si sezoni më i keq i Interit, që kur president është Masimo Morati. Skuadra e drejtuar nga Andrea Stramaçoni ka regjistruar disa rekorde negative, të cilat vështirë të mendoheshin përpara fillimit të kampionatit.
Humbjet – Me 16 “KO” këtë sezon, Interi ka kaluar edhe rekordin e humbjeve, i regjistruar në vitin e largët 1946-1947 (vetëm në vitin 1947-1948, zikaltrit koleksiononin më shumë humbje, por Seria A asokohe ishte me 22 ekipe). Statistikat negative të Interit janë regjistruar më së shumti në fazën e dytë të kampionatit, kur ekipi i drejtuar nga Andrea Stramaçoni mori në total 10 humbje. Kjo ecuri negative ka bërë që Interi të marrë veçse 19 pikë në pjesën e dytë të kampionatit. Vetëm Peskara ka bërë më keq, ka grumbulluar gjithsej 2 pikë, Palermo 15 dhe Atalanta 18.
Gola të pësuar – Me 5 golat që pësuan me Udinezen, mbrojtja e zikaltërve është kthyer në prapavijën e dytë më të keqe të kampionatit, me 57 gola të pësuar. Më keq se ata është sërish vetëm Peskara me 84. Interi nuk pësonte kaq shumë gola që prej vitit 1949-1950, kur e mbyllën sezonin me 60, por kundrejt 99 golave të shënuar. Ndërsa sivjet banda e Stramaçonit ka realizuar vetëm 57. Edhe bilanci i golave është i errët dhe regjistron një tjetër rekord negativ: për të parën herë në historinë e vet, kampionati i Interit është mbyllur me më shumë gola të pësuar se të shënuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"