VIDEO/ Teuta përmbys Tiranën, Hamiti “përgjysmon” bardheblutë para derbit me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2023 | 0:14

VIDEO/ Teuta përmbys Tiranën, Hamiti “përgjysmon” bardheblutë para derbit me Partizanin

Teuta ka mundur sot me shifrat 2-1 kryesuesit e Tiranës dhe ka bërë një hap shumë të sigurt drejt mbijetesës në Superiore.

bandicam 2023-05-06 20-04-48-296

Bardheblutë gjetën të parët avantazhin me supergolin e Haxhiut por golat e Emiljano dhe Lorenco Vilës bënë që në fund tre pikët të shkonin për durrsakët, duke hapur njëkohësisht edhe luftën për titullin në Superiore.

Tani Tirana ka vetëm dy pikë ndaj Partizanit ndjekës, me të cilin përballet në javën e ardhshme. Një ndeshje ku shkon e përgjysmuar për shkak të kartonëve që dha sot Hamiti i cili lë ekipin e Shehit pa Hasanin, Hilën dhe Behiratçen për atë sfidë.

Nëse i kuqi i mbrojtësit u dha edhe me ndërhyrjen e VAR-it, dy të verdhët me të cilën ndëshkoi të tjerët, lënë shumë vend për diskutim e do të krijojnë polemika.

TEUTA-TIRANA 2-1
63′ E. Vila, 71′ l. Vila / 52′ Haxhiu

NGJARJET KRYESORE

90’+6’ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-1 të Teutës.

90’+3’ L. Vila i lë vendin Oshafit në fushë për Teutën.

90′ Jepen 6 minuta shtesë.

90’ Lulaj merr vendin e Deliut te Tirana ndërsa Daci të Kuros te Teuta.

89′ Alarmohen skuadrat në fushë sepse Kuro rrëzohet në fushë pasi kishte dalë në sulm për skuadrën durrsake. Të dy stafet e skuadrave i shkojnë në ndihmë futbollistit, i cili për fat merr veten.

88’ Edhe pse më 10 lojtarë, është Tirana që po mundohet të shtyjë para.

85’ Qaqi nuk mund të vazhdojë më për shkak të një dëmtimi dhe Kotobelli merr vendin e tij në radhët e Teutës.

84’ Gjumsi merr vendin e Toshevskit në fushën e lojës në minutat e fundit.

78’-81’ Moment i diskutueshëm gjatë ndeshjes, pasi Behiratçe shtyn Gjinollarin në lojë pa top e më pas është Vila i cili reagon. Hamiti shkon të shohë VAR-in dhe i tregon mbrojtësit bardheblu kartonin e kuq.

77’ Toshevski tenton me të djathtën të gjejë golin nga distanca, duke fluturuar sferën mbi traversë.

74’ L. Vila ka përsëri mundësinë që të gjuajë në portën e bardhebluve i harruar i vetëm në zonë nga mbrojtja, por këtë herë pa gjetur katërkëndorin.

71’ GOOOL TEUTA! Sulm i shpejtë i durrsakëve me L. Vilën i cili është ai që finalizon në portën bardheblu pas asistit të Çyrbjes.

66’ Hila i lë vendin Lushkjes në radhët e Tiranës.

63’ GOOOL TEUTA! Aksion fantastik i Markut nga e djathta, topi i tij gjen në shtyllën e dytë E. Vilën i cili gjen rrjetën duke mposhtur Likën.

59’ Deliu nis një top interesant drejt qendrës, Qaqi largon sferën nga zona para Qirkos.

55’ Qaqi ndëshkohet me karton të verdhë për protesta ndaj gjyqtarit.

52’ GOOOL TIRANA! Rimal Haxhiu merr topin në hyrje të zonës dhe lëshon një gjuajtje të pakapshme për Qirkon duke kaluar në avantazh bardheblutë.

51’ Beqja nga e djathta ia del të harkojë topin në zonë, por sfera merr një trajektore të çuditshme e niset drejt portës, duke detyruar Likën ta kalojë mbi traversë.

49’ Gjinollari ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli ndaj Aleksit.

47’ Gjuajtje nga jashtë zonës e Aleksit, topi ndalet nga mbrojtja e vendasve.

46’ Nis pjesa e dytë me Gjinollarin në fushë në vend të Goxhajt në radhët e Teutës.

45’+2′ Mbyllet pa gola pjesa e parë. 

45’+1’ Hila ndëshkohet me karton të verdhë për një faull në mesfushë, edhe ai humbet derbin.

45’ Jepen 2 minuta shtesë.

43’ Çyrbja shkëputet në krahun e djathtë dhe nis një harkim në shtyllën e dytë për Kallakun. Ky i fundit nuk i jep forcë gjuajtjes së tij para portës dhe shpërdoron mundësinë për të tentuar portën.

41’ Abazaj ia del të shpërthejë në krahun e djathtë, hyn në zonë por në momentin e gjuajtjes bllokohet nga ndërhyrja e Jazxhi.

38’ Ndizet ndeshja, edhe Goxhaj përfundon në listën e të ndëshkuarve me karton të verdhë pas një faulli në mesfushë.

36’ Behiratçe ndërhyn në mesfushë ndaj Kallakut dhe ndëshkohet me karton të verdhë.

31’ Hasani mundohet t’i shmanget mbrojtjes bardheblu, por sfera devijohet para se të mbërrijë të sulmuesi i Tiranës.

26’ Karton i verdhë per Hasanin i cili mungon në derbi. Haxhiu hyn në zonë por ndalet nga Qirko i cili më pas largon sferën me këmbë para ndërhyrjes së Hasanit. Ky i fundit rrëzohet dhe kërkon penallti, por merr në këmbim të verdhë për simulim, teksa aksioni kishte nisur nga një pozicioni dyshimtë i Haxhiut.

19’ Është përsëri Hasani ai i cili tenton nga e djathta me një gjuajtje të harkuar drejt shtyllës së dytë, por pa gjetur katërkëndorin.

16’ Hasani vjedh topin nga mbrojtësve durrsakë dhe niset drejt portës, por shtyn sferën më shumë se duhet dhe i jep mundësinë Qirkos që të largojë sferën me këmbë.

10’ Rrëmujë në zonën e Teutës me disa lojtarë të bardhebluve që tentojnë të gjuajnë në katërkëndor. Në fund është Behiratçe i cili gjuan, por sfera ndalet në duart e Qirkos.

8’ Kristal Abazaj niset i vetëm drejt portës, provon parabolën mbi Qirkon por çon topin jashtë.

4’ Beqja provon me të djathtën nga distanca, por shumë lehtësisht duke mos shqetësuar Likën.

1’ Nis ndeshja në “Niko Dovana”.

FORMACIONET:

TEUTA: Qirko, Goxha, Jazxhi, A.Marku, Çyrbja, Beqja, E.Vila, Kuro, Kallaku, L.Vila
Trajner: Edi Martini

TIRANA: Lika, Toshevski, Najdovski, Behiratçe, Përgjoni, Hila, Aleksi, Deliu, Haxhiu, Hasani, Abazaj
Trajner: Orges Shehi

WhatsApp Image 2023-05-06 at 6.44.28 PM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"