VIDEO/ Skënderbeu kthehet përsëri mes pretendentëve, i mjafton një gjuajtje për të mundur Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2023 | 23:50

VIDEO/ Skënderbeu kthehet përsëri mes pretendentëve, i mjafton një gjuajtje për të mundur Partizanin

Skënderbeu ka mundur Partizanin sot dhe është kthyer përsëri në grupin e skuadrave pretendente për FINAL FOUR të Superiores. Bardhekuqve i ka mjaftuar një gjuajtje e vetme në portë për këtë sukses, në një sfidë ku në fakt ishin miqtë ata që diktuan ritmin.

WhatsApp Image 2023-10-01 at 4.32.39 PM

Partizani ka diktuar ritmin e tij që në startin e sfidës, duke kërkuar vazhdimisht golin. Por mbrojtja e skuadrës së Skënderbeut ishte e vëmendshme dhe u mundua të mos lejonte hapësira para portierit Alia, i cili gjithsesi u bë vendimtar sidomos në pjesën e dytë me pritjet e tij ndaj Mba dhe Da Silva.

Ndërkohë, e vetmja gjuajtje në portë e Skënderbeut ishte pikërisht goli i Rashicës, i cili erdhi falë penalltisë së fituar nga Liço pas pakujdesisë së Koçijan. Një penallti që i mjaftoi korçarëve për tre pikë dhe për të vazhduar serinë e fitoreve, që konfirmojnë se kjo skuadër mudn të jetë një rrezik serioz për çdo kundërshtar, edhe ata që kanë pretendime për trofeun.

SKËNDERBEU-PARTIZANI 1-0
83′ (p) Rashica

NGJARJET KRYESORE

90’+10‘ Mbyllet ndeshja me fitoren 1-0 të Skënderbeut.

90’+8’ Juri ka mundësinë që të shënojë golin e dytë, por gjuan jashtë pas një kundërsulmi interesant.

90’+7’ Shaqe shkëputet në krahun emajtë dhe niset drejt zonës, Sota ndërhyn ndaj tij dhe i heq topin nga këmbët para se të futej në zonë.

90’+4’ Rashica lë fushën e lojës, duke i bërë vend Juri Merlim në radhët e Skënderbeut.

90’+3’ Rashica nis Frashërin në të djathtën, por harkimi i kapitenit shkon direkt në fundore.

90’ Jepen 8 minuta shtesë.

88’ Bilali dhe Keko hyjnë në fushë në vend të Mehmetit dhe Atanaskoskit.

87’ Liço ekzekuton direkt në portë goditjen e dënimit, duke vënë në vështirësi Hoxhën i cili grushton e më pas mbrojtja largon topin në këndore. (VIDEO)

85’ Karton i verdhë për Mehmetin pas një faulli ndaj Frashërit.

83’ GOOOL SKËNDERBEU! Rashica shënon me penallti. (VIDEO)

78’-81’ Liço rrëzohet në zonë pas një kontakti me Koçijan, gjyqtari Lata bën shenjë për simulim dhe ndëshkon me të verdhë Vangjelin për protesta. Më pas ai ftohet në VAR të shohë edhe një herë pamjet ku Koçijan gjen këmbën e futbollistit vendas. Në fund Lata akordon penallti për vendasit dhe i jep të verdhë Zekollit. (VIDEO)

75’ Në fushë edhe Sebastine në vend të Nikajt në radhët e bardhekuqve.

72’ Vangjeli merr vendin e Peçanit në radhët e Skënderbeut.

66’ Ketë herë është Mba i cili pason te Da Silva, por gjuajtja e brazilianit ndalet gjithashtu nga portieri i vendasve. (VIDEO)

65’ Da Silva i sapofutur krijon një rast të artë, me sferën që shkon te Mba i vetëm para portës, por gjuajtja e tij përfundon nw fytyrën e portierit Alia dhe largohet rreziku. (VIDEO)

64’ Da Silva, Mba dhe Koçijan hyjnë në fushën e lojës në vend të Carës, Grezdës dhe Bintsuka.

63’ Liço provon të gjejë portën me një gjuajtje nga jashtë zonës, Bytyçi bllokon gjuajtjen e tij.

60’ Bytyçi ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli ndaj Rashicës.

53’ Bintsuka ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli ndaj Ramos.

50’ Pas një goditje këndi të vendasve, është Prençi i cili godet por gjen përgjigjen e Mehmetit i cili bllokon sferën. (VIDEO)

46’ Nis pjesa e dytë pa zëvendësime në radhët e dy skuadrave.

45’+2′ Mbyllet pa gola pjesa e parë. 

45’+2’ Cara provon me një goditje dënimi, Alia fluturon dhe grushton sferën në këndore. (VIDEO)

45’ Jepen 2 minuta shtesë.

45’ Gjuajtja e fortë e Maget, topi godet në fytyrë Ramos dhe prek dorën e lojtarit të vendasve. Gjyqtari akordon faull jashtë zonës. (VIDEO)

43’ Edhe Shaqe përfundon mes të ndëshkuarve me karton të verdhë për një goditje me bërryl.

41’ Tani është Skënderbeu i cili insiston më shumë në sulm, me Nikajn i cili merr topin mirë brenda zonës por nuk arrin të gjuajë drejt portës.

38’ Maget ndëshkohet me karton të verdhë pasi ndal një kundërsulm të Peçanit.

34’ Mehmeti largon rrezikshëm një top në fundore, pasi sfera devijohet nga Liço dhe kalon mbi traversën e Hoxhës.

32’ Cara në krahun e majtë mundohet të pasojë ne qendër, Prençi devijon jashtë. Protesta të “demave” që kërkojnë penalti për prekje topi me dorë, por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë edhe pas konsultimit me VAR-in. (VIDEO)

27’ Mundohet të shtyjë përpara Skënderbeu, për t’i dhënë pak frymëmarrje skuadrës e cila vuajti presingun e lartë të të kuqve në 25 minutat e parë.

21’ Tentativë nga jashtë zone e Grezdës, topi ndalet përsëri në duart e portierit të vendasve.

19’ Janë vetëm miqtë të cilët sulmojnë në këto raste, me tentativa nga jashtë zonës që nuk kalojnë mbrojtësit për të rrezikuar Alian.

16’ Aksion i rrezikshëm i Partizanit me topin e Carës për Grezdën në të djathtën. Ky i fundit vonohet e nuk gjuan dot në portë, por më pas pasimi i tij për t’ia kthyer Carës topin largohet nga mbrojtja.

8’ Pas një goditje këndi, topi shkon te Atanaskoski i godet nga pozicion ballor, topi përfundon në duart e Alias.

7’ Harkim nga e djathta i Grezdës për Carën, Ramos e devijon jashtë duke rrezikuar autogolin (VIDEO)

5’ Partizani më ngulmues në këta minuta të parë, duke kërkuar një gol të shpejtë.

1′ Nis ndeshja në Korçë.

FORMACIONET ZYRTARE

SKËNDERBEU: Alia, Ramos, Prençi, Rabiu, Frashëri, Reçani, Gerço, Shaqe, Liço, Rashica, Nikaj,

Trajner: I. Gvozdenoviç

PARTIZANI: Hoxha, Atanaskoski, Bytyçi, Sota, Zekolli, Maget, Mehmeti, Taipi, Grezda, Cara, Bintsuka.

Trajner: Z. Zekiç

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"