VIDEO/ “Show” te ndeshja e moshave, talenti i Dinamos U-17 realizon gol spektakolar nga distanca
Dinamo pas shumë vitesh në “vegjetim” ka nisur të lulëzojë sa i përket ekipit të parë, por edhe akademisë, që është themeli i një klubi funksional futbolli. Blutë kanë arritur të marrin disa talente nëpër gjithë vendin, por edhe te skuadrat rivale të kryeqytetit.
Së fundmi, një nga lojtarët e akademisë ka shënuar një gol, qe edhe në Superiore kemi ca kohë pa e parë. Alvi Hysa, sulmues i Dinamos U-17, i ka shtangur të gjithë në minutën e 42-të të ndeshjes ndaj moshatarëve të Vllaznisë, kur me një “predhë” të kalibruar në perfeksion ka rrokur trekëndëshin e portierit shkodran.
Ky ishte goli i tretë i ndeshjes, me blutë, që i vunë në këtë mënyrë “kapakun” një sfide të dominuar tërësisht, e mbyllur 3-0. Alvi Hysa më parë ka qenë pjesë e akademisë së Tiranës.
Në fakt, te Dinamo U-17 duket se i kanë “zanat” gjuajtjet nga distanca, pasi vetëm disa javë më parë një gol të ngjashëm e shënoi edhe Bjorni Duka, një tjetër talent premtues i “nëndetëses”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"