VIDEO/ Shkëlqen Prestige, “perla” e Limanit përkul Bulqizën dhe sjell fitoren e parë në të Tretën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2023 | 8:55

VIDEO/ Shkëlqen Prestige, “perla” e Limanit përkul Bulqizën dhe sjell fitoren e parë në të Tretën

Prestige arriti mbrëmjen e djeshme fitoren e parë në Kategorinë e Tretë, duke triumfuar në një ndeshje mjaft të bukur ndaj Bulqizës në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmës. Skuadra e Prestige bëri gjithçka vetë në këtë ndeshje. Fillimisht në minutën e 24-t realizoi me Klejdi Branicën, teksa në minutat e fundit të pjesës së dytë Hysko realizoi një autogol, përpara se Limani të nxirrte nga repertori i tij një supergol dhe t’i jepte tri pikët ekipit.

prestige

PJESA E PARË – Ndeshja nis menjëherë me Prestige në kontrollin e lojës me disa tentativa të njëpasnjëshme pa saktësinë e duhur. Më së shumti skuadra e Mandrit Dules u përpoq herë pas here me sulme të organizuara, por pa befasi.

Nga ana tjetër, Bulqiza përpiqet më së shumti me daljet e shpejta, veçanërisht në krahun e djathtë. Megjithatë, në pjesën e parë portieri Hasanaj thuajse nuk u thirr fare në detyrë.

Në minutën e 18-të Ademi provon me një goditje me kokë, por pa saktësinë e duhur për të rrezikuar portën e Spahos. Prestige rrezikon edhe në të 18-ën me Limanin në hyrje të zonës, por sulmuesi ndalet nga portieri Spaho. Sakaq, pas një loje pa shumë produktivitet, Prestige arrin të gjejë golin në minutën e 24- t me një goditje këndi, të punuar shumë mirë.

Në zhvillimet e një këndoreje Klejdi Branica arrin t’u “vidhet” të gjithë mbrojtësve dhe të realizojë me kokë në shtyllën e dytë. Në të 31-ën Bulqiza kërkon përgjigjen me një gjuajtje nga distanca, me Hasanajn, që arrin të mbrojë portën.

Tre minuta më pas Mahmutaj provon me një goditje dënimi, pa gjetur portën. Minutat e mbetura u karakterizuan nga tension e ndalesa të shumta.

PJESA E DYTË – Ky fraksion nis sërish nën kontrollin Prestige, që mban topin dhe mundohet të menaxhojë rezultatin e arritur me golin e Branicës. Limani jep shkëndijën e radhës në të 49-ën me një gjuajtje nga jashtë zonës, por topi përfundon mbi traversë.

Pas pak çastesh është Ademi, që tenton kërcënueshëm nga distanca, por topi devijohet dhe nuk gjen dot portën. Rreth gjysmës së këtij fraksioni Rapo ka mundësi shumë të mirë me një dalje plot elegancë nga e djathta, ku tenton shtyllën e dytë, por topi kalon shumë pranë katërkëndëshit.

Kur duket se Prestige kishte gjithçka nën kontroll, është Hysko, që devijon në rrjetën e Hasanajt një kros të Mahmutajt duke barazuar shifrat kur kishin mbetur edhe 10 minuta nga koha e rregullt.

Goli nuk i demoralizon vendësit, që e kërkojnë avantazhin me shumë ngulm, ashtu si edhe Bulqiza, që nuk pajtohet me 1 pikë. Në të 85-ën Rapo ka një tjetër shans ideal. Mbrojtësi arrin të depërtojë mes kundërshtarëve dhe nga një pozicion shumë i favorshëm nuk arrin të gjejë trekëndëshin e portës.

Gjithsesi, lojtarët e Prestige nuk e kishin thënë fjalën e fundit dhe në skenë rikthehet Limani. Në minutën e parë të shtesës sulmuesi arrin të gjejë hapësirën e duhur për një goditje perfekte në hyrje të zonës, që lë të shtangur Spahon dhe vuloset në trekëndësh për shifrat 2-1.

Në fund Bulqiza e mbyll me 10 veta, pas kartonit të kuq të Mahmutajt. Pas kësaj fitoreje, Prestige numëron 4 pikë në dy ndeshje.

02020

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"