VIDEO / Provë force e Tiranës, mund kampionët për të mbrojtur vendin e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2021 | 23:57

VIDEO / Provë force e Tiranës, mund kampionët për të mbrojtur vendin e parë

Tirana ka vazhduar të jetë e shkëputur në kreun e renditjes së Superiores, pas fitores 2-1 ndaj Teutës. Bardheblutë kanë dhënë një tjetër provë force duke mundur kampionët në fuqi, edhe pse në fund rrezikuan që të linin pikët që i kishin fituar me meritë deri në 10 minuta e fundit.

tirana teuta

Bardheblutë u shfaqën kërkues dhe falë golit të shpejtë të Totre, ia dolën që të bënin më të thjeshtë sfidën e tyre. Ata administruan rezultatin dhe duke u mbrojtur mirë, pastaj kundërsulmuan rrezikshëm derisa shënuan edhe golin e dytë me Seferin pas një mori rastesh të humbura.

Por kryeqytetasit e menduan të mbyllur shumë shpejt sfidën dhe Teuta u kthye në lojë duke rrezikuar e duke shënuar me Grudën. Kjo bëri që ndeshja të mbyllej me drithërima deri në sekondat e fundit. Por në mbyllje ishte një sukses i bardhebluve të cilët morën 3 pikët për të ruajtur distancën nga Kukësi ndjekës.

TIRANA-TEUTA 2-1
23′ Totre, 68′ Seferi / 84′ Gruda

MINUTË PAS MINUTE

90’+4’ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-1 të Tiranës.

90’+2’ Goditje dënimi ballore e Teutës, gjuan Kallaku por sfera përfundon në duart e Bekajt.

90’ Jepen 4 minuta shtesë.

88’ I sapofuturi Kuka ndëshkohet me të verdhë.

88’ Zëvendësim te Tirana. Kuka merr vendin e Totre, ndërkohë Aleksi ndëshkohet me të verdhë për protesta pasi kërkonte që zëvendësimi të kryhej më shpejt.

87’ tjetër tentativë e Kallakut nga jashtë zonës, me fantazistin e Teutës që i afrohet golit të barazimit, por sfera përfundon jashtë.

84’ GOOOL Teuta. Gruda nuk gabon para portës pas një pasimi nga e djathta dhe shkurton diferencën.

77’ Mundësi e artë për Teutën që të rihapë ndeshjen. Top nga e djathta për Kallakun i cili i vetëm në hyrje të zonës ka mundësinë të gjuajë në kuadrat, por fluturon topin shumë lart mbi traversë.


74’ Shehi largon Xhixhën dhe Seferin duke aktivizuar Dansio dhe Zhivanajn.

70’ Bekaj bën mrekullinë ndaj Grudës. Sulmuesi merr një harkim në shtyllën e dytë dhe është i vetëm para Bekajt, por gardiani ndal gjuajtjen e futbollistit me një devijim perfekt.


68’ GOOOL Tirana. Kundërsulmi i Xhixhës në krahun e djathtë, topi i tij për Seferin në shtyllën e dytë është perfekt dhe sulmuesi thjesht shtyn sferën në rrjetë.

65’ Menjëherë përgjigjet Tirana me kundërzbritjen e Totre i cili pason për Limajn, por ky i fundit fluturon sferën mbi traversë.

64’ Pas goditjes nga këndi, Akuah provon portë, sfera kthehet te Plaku e Vila që pengojnë njëri-tjetrin e më pas është Aleksi i cili fluturon sferën mbi traversë.

62’ Shehi përgjigjet duke aktivizuar Ngo në vend të Gjumsit.

62’ Lëvizja e Martinit është aktivizimi i Grudës e Plakut në vend të Gjorgiev dhe E. Vilës.

58’ Presing i lartë i Teutës, me Tiranën e tërhequr që tashmë po mundohet të ndalë valën e sulmeve durrsake dhe të përgjigjet me zbritjet e shpejta të Seferit dhe Xhixhës.

54’ Kallaku shfaqet në krahun e djathtë dhe nis topin në qendër. Bekaj grushton dhe largon rrezikun nga katërkëndori.

52’ Gjorgiev gabon në mënyrë të pabesueshme para Bekajt me gjuajtjen e tij me kokë, duke dërguar sferën jashtë.

52’ Gjumsi ndëshkohet me të verdhë pas faullit ndaj Kotobellit.

46’ Nis pjesa e dytë e duelit.

45’+6’ E pabesueshme! Pas 6 minutash shqyrtim pamjesh anulohet penalltia dhe gjyqtari mbyll pjesën e parë.


45’+5’ Prej 5 minutash VAR po kontrollon gjithçka ka ndodhur, që te gjykimi për pozicionin e Seferit e deri te ndërhyrja e Ivanoviç.

45’ Gjyqtari Laver Alla akordon penallti për Tiranën pas një ndërhyrje të Ivanoviç ndaj Seferit i cili po shfaqej para portës durrsake.

35’ Aksion i shkëlqyer i Tiranës që finalizohet me gjuajtjen e Xhixhës, sfera përfundon në duart e Qirkos.

33’ Seferi gabon në mënyrë të pabesueshme para portës pas një pasimi perfekt të Gjumsit. Sulmuesi vonohet dhe nuk gjuan në portë.

30’ Situata zhvendoset në portën tjetër me Gjorgiev i cili gjuan pas një gabimi të Gjumsit, por nuk gjen katërkëndorin.

29’ Seferi në të majtën ka hapësirën e duhur për të kërkuar Xhixhën në shtyllën e dytë, por ky i fudnti nuk ka kontaktin e duhur me topin dhe dërgon sferën jashtë.

36’ Karton i verdhë për Dajën për një faull në mesfushë.

36’ Top i gjatë për Seferin, devijimi i tij kalon mbi traversën e portës së Teutës.

23’ GOOOL Tirana. Totre tregon gjithë talentin e tij me një gjuajtje të shkëlqyer nga jashtë zonës që kalon Qirkon.

22’ Gjumsi rikuperon topin në gjysmëfushën kundërshtare dhe i afrohet zonës në krahun e djathtë, por pastaj gabon plotësisht pasimin drejt qendrës me asnjë prej bardhebluve aty për të përfituar.

20’ Faulle të shumtë bëjnë që sfida të ndërpritet vazhdimisht dhe nuk ka ende asnjë rast për t’u shënuar që nga fillimi i pjesës së parë të duelit.

15’ Aleksi nga e djathta mundohet të nisë topin në qendër, por sfera devijohet në goditje nga këndi.

11’ Kotobelli nga e djathta ka hapësirën për të arritur në fundore, nis topin në qendër por Hoxhallari largon sferën.

8’ Start i qetë i ndeshjes me dy ekipet që nuk kanë krijuar raste të rrezikshme.

1’ Nis dueli në “Air Albania” me shkelmimin nga qendra të durrsakëve.

FORMACIONET ZYRTARE

Tirana: Bekaj, Toshevski, Beiraçe, Hoxhallari, Ismajlgeci, Limaj, Toli, Totre, Gjumsi, Xhixha, Seferi.
Trajner: Orges Shehi.

Teuta: Qirko, Idrizaj, Aleksi, Ivanoviç, Kotobelli, Akuah, Daja, Lorenco Vila, Kallaku, Emiliano Vila, Gjorgjiev.
Trajner: Edi Martini.

FORMACIONET

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"