VIDEO/ Prestige i pamëshirshëm, mposht me “tris” Arnisën. Kryeqytetasit konfirmohen të pathyeshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2023 | 8:40

VIDEO/ Prestige i pamëshirshëm, mposht me “tris” Arnisën. Kryeqytetasit konfirmohen të pathyeshëm

Prestige tregon edhe një herë forcën. Pasi mposhti Basanian në transfertë, “viktima” e radhës rezultoi të ishte një tjetër pretendente, Arnisa, që doli nga “Kompleksi Internacional” e mposhtur me shifrat 3-0. Dominim në të gjitha aspektet, me Gjipin që hapi sfidën në të 43-ën, teksa Ademi e Limani realizuan në të dytën. Prestige ngjitet në kuotën e 10 pikëve, duke marrë vendin e dytë.

prestige

NDESHJA – Të dyja skuadrat mundohen të jenë të kujdesshme dhe duket sikur të mos pësojnë është misioni primar. Starti është i luftuar, por pa raste, teksa rreziku i parë serioz vjen vetëm në minutën e 24-t me Mario Ademin, që devijon një kros në zonën e vogël, por pa saktësinë e duhur.

Pak minuta më pas numri “10” bëhet sërish protagonist, këtë herë më një aksion të bukur “solo”, por në momentin e fundit lëshon topin shumë përballë portierit Gjokola.

Skuadra e Arnisës mundohet të depërtojë më së shumti në krahë e me topa të gjatë në qendër, por Hysko bëhet i pakalueshëm. Me kalimin e minutave Prestige e mat forcën e kundërshtarit dhe nis të sulmojë më shumë, duke qëndruar në gjysmëfushën kundërshtare.

Shpërblehet në minutën e 43-të me golin e Arlind Gjipit. Kombinime të Ademit dhe Limanit, me këtë të fundit, që kalon topin pas shpinës së portierit dhe me Gjipin, që bën detyrën, duke shtyrë topin në rrjetë për 1-0.

Edhe të dytën Prestige e nis siç mbylli të parën, pasi shënon në të 50-ën. Goditje këndi e ekzekutuar nga Mersini, pasiguri e portierit Gjokola dhe Ademi, që sigurohet ta shqelmojë fort në rrjetë për 2-0.

Pas gjashtë minutash Arnisa përgjigjet me një traversë, teksa edhe Andi Kullolli tenton rrezikshëm me një goditje dënimi, por gjen përgjigjen e portierit Hasanaj. Prestige bën një rokadë në sulm, duke aktivizuar Malik Zrimeg, që i jep një impuls tjetër sulmit dhe krijon hapësira edhe për Limanin. Ky i fundit në të 61- ën “shpërthen” nga e djathta duke dribluar tri veta, por nuk është i saktë në momentin goditjes.

Ndodh e kundërta pas 10 minutash. Malik bën një kalim “magjik” nga e matja dhe “telekomandon” topin për Limanin, që me një koordinim perfekt lëshon një goditje “vrastare” nga pranë zonës së vogël dhe fikson shifrat në 3-0.

06262

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"