VIDEO/ Penallti dhe autogol nga portieri, Erzeni i merr pikë Vllaznisë në debutimin e trajnerit të ri te shkodranët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2023 | 0:14

VIDEO/ Penallti dhe autogol nga portieri, Erzeni i merr pikë Vllaznisë në debutimin e trajnerit të ri te shkodranët

Emërimi i Qatip Osmanit në pankinën e Vllaznisë nuk ka qenë ashtu siç e shpresonte klubi shkodran. Kuqeblutë janë ndalur sot në shtëpi në një barazim 1-1 përballë Erzenit që vazhdon të jetë një nga skuadrat që u krijon më shumë probleme shkodranëve.

vllaznia

Ndeshja në pjesën e parë dhuroi pak emocione, pasi të dy skuadrat ishin më të përqendruara për të mos i lënë hapësira njëra-tjetrës. Ndaj edhe gjuajtja e parë e mirëfilltë në kuadrat, ishte penaltia që i dha avantazhin Vllaznisë me anë të Balajt i cili transformoi saktësisht.

Erzeni reagoi dhe pak nga pak fitoi më shumë hapësira në tentativën për të barazuar rezultatin Megjithatë, goli i shijakasve do të vinte në mënyrë rokamboleske, pasi gjuajta e Zekës u kthye nga shtylla, preku portierin Qarri dhe shkoi në rrjetë.

Një “dush i ftohtë” për shkodranët të cilët ashtu si miqtë, provuan me të gjitha forcat që të gjenin golin e fitores, por me skuadrat që nuk dukeshin në ditën e tyre më të mirë në repartin e avancuar. Kësisoj, ndeshja u mbyll në barazimin 1-1 dhe nuk ndryshon pozitat e ekipeve, të cilat mbeten të rrezikuara pranë zonës së ftohtë.

VLLAZNIA-ERZENI 1-1
28′ (p) Balaj / 67′ (ag) Qarri

NGJARJET KRYESORE

90’+6’ Mbyllet ndeshja me barazimin 1-1.

90’+6’ Boshnjaku ndëshkohet me karton të verdhë për një faull ndaj Migone.

90’+4’ Isteri merr vendin e Zekës në radhët e Erzenit.

90’+2’ Aksion i Smajlit nga e djathta, Dodev merr topin e pason në qendër ku largon mbrojtja e pastaj vjen Krymi me shpejtësi për një gjuajtje të fortë që gjen Hasanbelli në pozicion. (VIDEO)

90’+1’ Tjetër goditje këndi e rrezikshme që harkohet në shtyllën e parë, Hasanbelli grushton e largon rrezikun.

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

89’ Kacbufi merr vendin e Mihanës te Erzeni.

87’ Pas një goditje këndi të shkodranëve, Zeka niset drejt portës së vendasve në kundërsulm, por Mala bën një ndërhyrje vendimtare duke ndalur këtë aksion. (VIDEO)

84’ Shkodranët mundohen me Dodev nga e djathta dhe Delajn nga e majta të harkojnë në zonë, por pa gjetur Balajn, i rrethuar nga shumë mbrojtës të Erzenit.

81’ Bruno Gomes hyn në fushë në vend të Salës në radhët e Vllaznisë.

78’ Dodev nga njëra anë dhe Peposhi nga ana tjetër, tentojnë brenda pak sekondash me harkimet në zonë, por pa gjetur shokët përkatës të skuadrave

77’ Hasanbelli del deri në kufijtë e zonës për të kontrolluar një top që shkonte rrezikshëm drejt Balajt.

74’ Kiqina merr një karton të verdhë për faull ndaj Dodev.

73’ Delaj gjendet i lirë në të majtën brenda zonës dhe gjuan menjëherë duke kërkuar shtyllën e dytë, pa gjetur katërkëndorin e miqve. (VIDEO)

70’ Qarri shlyen disi autogolin duke ndalur një gol thuajse të sigurt pas një gjuajtje të shkëlqyer të Kiqinës, pasi devijon topin në këndore me një fluturim të jashtëzakonshëm. (VIDEO)

67’ GOOOL ERZENI! Gjuajtje nga jashtë zonës e Zekës, topi përplaset në shtyllë, pastaj në këmbët e Qarrit dhe pastaj përfundon në rrjetë. (VIDEO)

66’ Delaj hyn në fushë në vend të Alivodës në radhët e Vllaznisë.

65’ Zbritje e shpejtë e shkodranëve në zonë me Boshnjakun, Atanda me vështirësi largon sferën. (VIDEO)

63’ Meçja i lë vendin në fushë Kiqinës në radhët e Erzenit.

58’ Aksion i mirë i shijakasve me shumë kombinime pranë zonës kundërshtare, në fund është Migone i cili harkon nga e djathta pa gjetur asnjë shok të skuadrës në qendër.

56’ Balaj nis Dodev në të djathtën dhe ky i fundit provon diagonalen drejt shtyllës së dytë, me portierin Hasanbelli i cili zgjatet dhe mbërthen sferën. (VIDEO)

54’ Harkim interesant nga e djathta e sulmit të Erzenit, Meçja me kokë nuk ia del të devijojë drejt portës.

50’ Kahrimanoviç kontrollon topin në zonë dhe lëshon një gjuajtje të shpejtë me një rrotullim, por sfera shkon direkt në duart e Qarrit. (VIDEO)

48’ Sadiki ndëshkohet me karton të verdhë për një ndërhyrje ndaj Balajt.

46’ Pjesa e dytë nis me aktivizimin e Osmanllarit në vend të Maliqit në radhët e Erzenit. Ndërsa te vendasit është Dodev ai i cili merr vendin e Grudës.

45’+2’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin 1-0 të Vllaznisë.

45’+2’ Tjetër mundësi në këmbët e Balajt pas një harkimi nga e djathta e sulmit, por gjuajtja e tij është e lehtë për portierin Hasanbelli.

45’+1’ Një goditje dënimi e harkuar në zonë e shijakasve kthehet me kokë nga Balaj drejt portës, por më pas ai sinjalizohet në pozicion jashtë loje.

45’ Jepen 2 minuta shtesë.

45’ Peposhi ndëshkohet me karton të verdhë për një faull ndaj Grudës.

44’ Pas goditjes nga këndi, topi shkon te Alba i cili gjuan me kokë pa gjetur katërkëndorin e Qarrit. (VIDEO)

43’ Vazhdon të insistojë Erzeni në kërkim të barazimit, Zeka merr topin në hyrje të zonës dhe gjuan, por gjen devijimin e mbrojtësve .

39’ Kahrimanoviç tenton me një goditje dënimi ballore, topi ndalet në murin mbrojtës.

34’ Zeka depërton mes lojtarëve të Vllaznisë dhe lëshon një gjuajtje të fortë që devijohet dhe sjell një goditje këndi për shijakasit.

30’ Boshnjaku ka mundësinë e artë për të shënuar menjëherë edhe golin e dytë, por gjuajtja e tij nga e majta devijohet jashtë nga Hasanbelli. (VIDEO)

28’ GOOOL VLLAZNIA! Balaj shënon nga pika e bardhë! (VIDEO)

27’ Penallti për Vllazninë! Mala niset në zonë, Maliqi i ndërhyn nga pas dhe gjyqtari Melataj nuk heziton duke bërë shenjë nga pika e bardhë. (VIDEO)

25’ Maliqi harkon në zonë, Smajli nga ana tjetër devijon topin para Mihanës dhe largon rrezikun pranë portës së Qarrit.

20’ Harkim nga e majta e sulmit të Erzenit, Mihana përpiqet me kokë të gjejë portën por devijimi i tij është i lehtë për Qarrin që e kontrollon pa probleme.

17’ Mala provon me një gjuajtje nga rreth 20 metra tokazi, Hasanbelli pret pa probleme.

12’ Asnjë gjuajtje në katërkëndor në minutat e para të ndeshjes, ku dy mbrojtjet janë të vendosura mirë dhe nuk lejojnë hapësira.

8’ Kahrimanoviç tenton të gjuajë drejt portës nga e djathta, por bllokohet nga Mihana para tij duke goditur në trup me top shokun e skuadrës.

6’ Qarkullim i gjatë topit, me Erzenin që bën presing të vazhdueshëm duke mos i lejuar shkodranët të qetë që të krijojë një rast të rrezikshëm.

3’ Shkodranët krijojnë një aksion të rrezikshëm me Malën e Balajn, por më pas është Gruda i cili nuk ia del të gjuajë apo krosojë nga e djathta duke shpërdoruar këtë rast.

1’ Nis dueli në “Loro Boriçi”.

FORMACIONET ZYRTARE

VLLAZNIA: Qarri, Juriç, Sala, Stojanoviç, Alivoda, Krymi, Boshnjaku, Smajli, Mala, Gruda, Balaj.
Trajner: Qatip Osmani

ERZENI: Hasanbelli, Sadiki, Atanda, Peposhi. Alba, Migone, Meçja, Maliqi, Kahrimanoviç, Zeka, Mihana.
Trajner: Alfred Deliallisi

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"