VIDEO/ Partizani zhgënjen përsëri, të kuqtë munden në shtëpi nga Teuta falë golave nga dy “ish”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2023 | 23:52

VIDEO/ Partizani zhgënjen përsëri, të kuqtë munden në shtëpi nga Teuta falë golave nga dy “ish”

Partizani është në krizë. Konfirmimi vjen nga rezultatet të cilat shohin për të tretën ndeshje radhazi të kuqtë që të dalin pa fitore nga fusha e lojës. Sot, ata janë mundur në shtëpi nga Teuta me shifrat 2-0 në një ndeshje ku u pa qartë varësia që kishte kjo skuadër ndaj emrave si Bitri e Skuka që u larguan në merkaton e janarit.

bandicam 2023-01-26 16-02-09-400

Të kuqtë vinin pas një humbje dhe një barazimi, teksa kërkonin të vinin në trysni Tiranën që kanë përpara në renditje, por pa emrat e rëndësishëm në mbrojtje dhe sulm lanë për të dëshiruar në të dy repartet. Edhe pse nisën me vrull sfidën, Teuta me kalimin e minutave ia doli të kontrollonte manovrën dhe gjeti golin me anë të Markut, pas një gjuajtje të shkëlqyer të tij që nuk i la kohë reagimi Hoxhës.

Pavarësisht ndryshimeve që u bënë nga trajneri Kolela, ishin përsëri durrsakët ata që gjetën rrjetën, këtë herë me penaltinë e Kallakut, duke vendosur sfidën në shinat e duhura pasi e kishin shumë më të thjeshtë të menaxhonin minutat e mbetura dhe furinë e të kuqve në fund të sfidës.

Kështu, Partizani shënon ndeshjen e tretë radhazi pa fitore e zhytet në krizë, ndërsa Teuta e sheh veten jashtë zonës së ftohtë të renditjes.

PARTIZANI-TEUTA 0-2
40′ Marku, 63′ (p) Kallaku

NGJARJET KRYESORE:

90’+5’ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-0 të Teutës.

90’+4’ Harkim në zonë i Rrapajt nga një goditje dënimi, Qirko del dhe grushton sferën.

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

89’ Kurti merr vendin e Vilës në radhët e Teutës.

88’ Mensah pretendon për një penallti pas një rrëzimi në zonë në një duel ajror, por gjyqtari Alla bën shenjë që loja të vazhdojë.

86’ Vila i afrohet golit të tretë kur nxjerr jashtë loje një mbrojtës të Partizanit dhe gjuan, por një devijim i Oshafit bën që sfera të shkojë jashtë.

81’ Në goditjen nga këndi pasardhëse, Menish gjuan me kokë, këtë herë Qirko pret.

80’ Pas një goditje dënimi, topi shkon te Maget i cili gjuan drejt portës por gjen përgjigjen e Qirkos i cili devijon në këndore.

79’ Oshafi dhe Çyrbja marrin vendin e Grudës dhe Markut në radhët e Teutës.

78’ Rrapaj sheh një lëvizje të Hadrojt në të djathtën dhe nis një top në thellësi nga mesfusha, Qirko nuk befasohet dhe kontrollon sferën.

76’ Kallaku dhe Kuros largohen për t’i bërë vend në fushë Çejkut dhe Goxhës.

75’ Marku kërkon zëvendësim, por stafi i bën shenjë të rrijë në fushë edhe disa minuta.

69’ Pas një goditje nga këndi, topi shkon te Rrapaj i cili gjuan në kufijtë e zonës, por nuk gjen portën e Qirkos.

67’ Atanaskoski dhe Shahaj aktivizohen në vend të Buxhelajt dhe Carës.

66’ Kotobelli ndëshkohet me të verdhë për një faull ndaj Maget.

63’ GOOOL TEUTA! Shënon Kallaku me penallti.

62’ Penallti për Teutën, pasi Telushi ndal në mënyrë të parregullt Grudën.

62’ Marku tenton me një goditje dënimi nga distanca, por duke dërguar topin në duart e Alban Hoxhës.

60’ Sembene ndëshkohet me karton të verdhë pas një ndalimi të Grudës i cili po shkonte drejt zonës.

59’ Rrapaj tenton të gjejë golin me një gjuajtje nga rreth 30 metra, Qirko kontrollon në dy kohë.

55’ Kolela ndryshon tre lojtarë duke aktivizuar Sembene, Maget dhe Mensah në vend të Hotit, Da Silvas dhe Muratajt.

52’ Da Silva ndëshkohet me karton të verdhë pas një mbajtje ndaj Beqjes.

52’ Durrsakët pretendojnë për prekje topi me dorë në zonë të Telushit pas një goditje këndi, gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë.

51’ Pas një goditje dënimi, topi shkon te Jazxhi në të djathtën, harkimi i tij largohet në këndore nga Telushi.

47’ Cara mundohet të zgjidhë gjithçka vetë me driblime në hyrje të zonës, por mbrojtja e Teutës është e vëmendshme dhe e rrethon duke i hequr në fund sferën pa i dhënë mundësinë të godasë.

46’ Menjëherë rrezikshëm pas pak sekondash me një top të gjatë durrsakët që nisin Grudën drejt portës, por Hoxha del dhe kontrollon sferën.

46’ Nis pjesa e dytë e duelit pa zëvendësime mes skuadrave.

45’+2’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin 1-0 të Teutës.

45’+2’ Da Silva në të majtën ka mundësinë të nisë një kundërsulm të shpejtë, por ai vonohet dhe pasimi i tij për Carën në qendër ndalet nga mbrojtësit në kufijtë e zonës.

45’+1’ Tjetër aksion në të majtën i të kuqve që marrin fundoren me lehtësi por çdo pasim në qendër largohet nga mbrojtësit, në këtë rast Kotobelli, i cili spastron zonën.

45’ Jepen 2 minuta shtesë.

45’ Harkim në zonë nga e djathta, Da Silva tenton të godasë me kokë por nuk ia del përpara mbrojtësve shtatlartë të durrsakëve.

42’ Cara merr fundoren në krahun e djathtë por pasimi i tij në hyrje të zonës largohet nga Vila, i kthyer mbrapa për të ndihmuar ekipin.

40’ GOOOL TEUTA! Aksion në krahun e djathtë i Markut i cili shmang një mbrojtës dhe lëshon një gjuajtje të pakapshme për Alban Hoxhën.

38’ Vila gjen përsëri hapësirën për të gjuajtur në portë, por sfera ndalet nga një shok i skuadrës dhe përfundon jashtë.

33’ Një goditje këndi për Teutën sjell panik në zonën e të kuqve, por Qaqi nuk ia del të kthejë sferën drejt portës dhe mbrojtja largon.

30’ Teuta është shumë më agresive në këto minuta duke kërkuar me harkime në zonë që të godasë portën e të kuqve.

26’ Hoti mundohet të kalojë mbrojtjen më një top të kaluar mbi futbollistët durrsakë, por asnjë nga shokët e skuadrës nuk ndjek aksionin.

21’ Rreziku i parë i krijuar para portës së Partizanit nga Teuta vjen me Grudën në të djathtë. Pasimi i tij në qendër gjen Vilën, por ky i fundit gjuan lehtë dhe Hoxha pret në pozicion.

16’ Tjetër kombinim interesant mes Da Silva dhe Carës, të cilët arrijnë të shkojnë deri në zonë kundërshtare, por nuk ia dalin përsëri të gjuajnë në portën e Qirkos.

10’ Aksion i shpejtë i Carës në të djathtën, del para Qirkos por ndalet fillimisht nga portieri e më pas nuk gjuan në portë dhe as nuk pason për Da Silvan.

3’ Dy aksione radhazi të Carës i cili mundohet të shfaqet rrezikshëm para Qirkos, por nuk ia del që të gjuajë në portë.

!’ Nis ndeshja në stadiumin “Partizani”.

FORMACIONET ZYRTARE

Partizani: Hoxha, Buxhelaj, Menish, Sota, Hadroj, Telushi, Murataj, Rrapaj, Hoti, Cara, Da Silva.
Trajner: Xhovani Kolella

Teuta: Qirko, Jazxhi, Qaqi, Kotobelli, Kuro, Marku, Kallaku, Karabeci, Gruda, Beqja, L.Vila.
Trajner: Edi Martini

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"