VIDEO/ Partizani shpreson përsëri, mund Erzenin dhe i bën presion Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2023 | 23:51

VIDEO/ Partizani shpreson përsëri, mund Erzenin dhe i bën presion Tiranës

Partizani ka marrë sot tre pikë të arta ndaj Erzenit duke siguruar një fitore që e mban në rrjedhën e luftës për titullin kampion.

erzeni partizani

Sfida ka qenë shumë e luftuar, me skuadrat që kanë kërkuar në çdo moment të shënonin, por me Xhikën dhe Rexhepin të vëmendshëm në pjesën e parë të sfidës.

Për të thyer baraspeshën të kuqve iu desh një goditje dënimi e ekzekutuar me skemë dhe e finalizuar saktësisht nga Da Silva. Kjo i dha më shumë qetësi të kuqve që të menaxhonin minutat e mbetur. Kartoni i kuq i Sotës mund të ndryshonte fatin e sfidës, por Hoti i futur në fushë pak minuta më parë, ia doli të dyfishonte shifrat për ekipin e drejtuar nga Kolela.

Në fund, Erzeni shënoi me anë të një penalltie, por ishte shumë vonë për të tentuar diçka më shumë nga kjo ndeshje dhe doli nga sfida pa pikë, duke rrezikuar që tashmë të përfshihet plotësisht në luftën për mbijetesë. Ndërkohë, Partizani shkon 2 pikë larg Tiranës dhe i bën presion bardhebluve kryesues.

ERZENI-PARTIZANI 1-2
90’+9′ (p) Kahrimanoviç / 60′ Da Silva, 86′ Hoti

NGJARJET KRYESORE

90’+9’ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-1 të Partizanit.

90’+9’ GOOOL ERZENI! Shënon Kahrimanoviç me penallti.

90’+6’-90’+6’ Atanaskoski ndal Kovaçin në krahun e djathtë të zonës dhe gjyqtari Lata bën shenjë nga pika e bardhë e penalltisë. Pas vëzhgimit me VAR, ai konfirmon vendimin e fushës.

90’+5’ Alan tenton nga jashtë zonës të befasojë Rexhepin por ky i fundit është në pozicion.

90′ Jepen 5 minuta shtesë.

88’ Kiqina merr vendin e Mehmetit te shijakasit.

86’ GOOOL PARTIZANI! Shënon Hoti! Mesfushori merr topin para zonës dhe pasi shmang një lojtar, gjuan me qetësi duke çuar sferën në rrjetë.

85’ Osmanllari dhe Ademi i lënë vendin në fushë Kapllanit dhe Kovaçit në radhët e Erzenit.

83’ Karton i kuq për Sotën! Mbrojtësi ndal në mënyrë të parregullt Nonaton dhe gjyqtari nuk heziton t’i tregojë të dytin e verdhë.

81’ Bilali ndal në mënyrë të parregullt një sulm të shpejtë të Kadriut të krah dhe ndëshkohet me karton të verdhë.

80’ Zëvendësim i trefishtë te Partizani me Carën, Hotin dhe Mensah të cilët marrin vendin e Da Silva, Mba dhe Rrapaj.

76’ Protesta të shijakasve që kërkojnë penallti pas një dueli në zonë mes Kadriut dhe Muratajt, me futbollistin e Erzenit i cili përfundon në tokë. Gjyqtari Lata bën shenjë që loja të vazhdojë.

74’ Hadroj shfaq probleme fizike dhe ulet në fushë. Kolela detyrohet ta zëvendësojë, duke aktivizuar Bilalin.

72’ Da Silva nis në thellësi Mba, por Xhika del me shpejtësi nga zona dhe i pason Iljazit duke larguar rrezikun.

67’ Mehmeti ndëshkohet me karton të verdhë.

65’ Traversa shpëton të kuqtë. Pas një harkimi të Mehmetit nga e djathta, sfera devijohet dhe përfundon në traversën e katërkëndorit të Raxhepit. Gjyqtari çuditërisht nuk jep goditje këndi mes protestave të shijakasve.

61’ Mundësi e artë e Rrapajt për të dyfishuar shifrat pas një asisti perfekt të Mba nga e djathta, por gjuajtja e mesfushorit nuk gjen portën.

60’ GOOOL PARTIZANI! Goditje dënimi perfektë e të kuqve me Rrapajn i cili pason për Telushin. Ky i fundit ul topin për Da Silvën i cili shtyn topin në rrjetën e portës së Xhikës.

58’ Edhe Sota ndëshkohet me karton të verdhë pas faullit ndaj Alan.

55’ Ritëm i lartë në fillimin e pjesës së dytë me skuadrat që kërkojnë të zhvendosin situatat para portës kundërshtare me shpejtësi, por pa gjetur hapësirat për të gjuajtur në zonë.

53’ Rrapaj ndëshkohet me karton të verdhë për një ndërhyrje ndaj Kadriut.

50’ Enk shfaq vazhdimisht probleme fizike, si në pjesën e parë, por vazhdon të luajë pasi merr ndihmën mjekësore.

46’ Nis pjesa e dytë pa zëvendësime mes dy skuadrave.

rama demi

45’+3’ Mbyllet pjesa e parë me barazimin pa gola.

45’+3’ Murataj dhe Rrapaj kombinojnë në zonë në pozicion të mirë por vonohen dhe asnjë nuk gjuan duke shpërdoruar mundësinë për të vënë në vështirësi Xhikën.

45’ Jepen 3 minuta shtesë.

42’ Gjuajtje e fortë e Osmanllarit nga e djathta, sfera shkon jashtë, jo shumë larg shtyllës në të majtë të Rexhepit.

40’ Harkim i Alan nga e djathta për Ademin, Rexhepi del fluturimthi dhe grushton sferën, më pas gardiani kërkon ndihmën mjekësore pasi ndjen shqetësime në këmbë.

37’ Edhe Mba merr mirë fundoren në të djathtën dhe pason në qendër, teksa nuk gjen Rrapajn dhe Da Silvën duke i dhënë mundësinë mbrojtjes që të largojë sferën.

36’ Hadroj nga e djathta gjen hapësirën për të harkuar lehtësisht në zonë, Da Silva nuk ia del të devijojë drejt portës.

31’ Edhe Atanaskoski përfundon mes të ndëshkuarve për një faull ndaj Ademit.

31’ Da Silva ia del nga e majta të pasojë në qendër dhe Mba devijon lehtësisht, por Xhika mbërthen pa shumë probleme topin i rrethuar nga mbrojtësit e skuadrës së tij.

29’ Enk është i pari i ndëshkuar me karton të verdhë për një faull në mesfushë.

25’ Rifillon ndeshja me të dy lojtarët që kanë marrë ndihmën mjekësore dhe janë në gjendje të vazhdojnë.

22’ Ndalet për disa çaste loja pasi Leao dhe Iljazi përplasen me njëri-tjetrin dhe kanë nevojë për ndihmën e stafit.

19’ Mehmeti gjuan nga distanca dhe vë në vështirësi Rexhepin i cili grushton, Kadriu devijon topin por Rexhepi është përsëri vendimtar duke larguar sferën me këmbë.

16’ Kadriu hyn në zonë nga e majta, pas një kontakti me Prekën rrëzohet. Gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë.

12’ Mba ka mundësinë e artë për të shënuar pasi shfaqet para Xhikës, por gjuajtja e tij ndalet nga gardiani i shijakasve.

11’ Harkim nga e djathta në zonën e Partizanit, Preka largon me vështirësi një top që po shkonte rrezikshëm drejt Nonatos.

5’ Teluishi nis në thellësi Hadrojn nga e djathta, pasimi i tij në qendër ndalet nga Leao por lojtari i Partizanit më pas sinjalizohet në pozicion jashtë loje.

1’ Nis dueli në “Niko Dovana”.

Formacionet zyrtare:

ERZENI: Xhika, Iljazi, Enk, Leao, Osmanllari, Mehmeti, Alan, Kahrimanoviç, Kadriu, Ademi, Nonato
Trajner. Xhevahir Kapllanaj

PARTIZANI: Rexhepi, Preka, Atanaskoski, Sota, Hadroj, Rrapaj, Da Silva, Telushi, Murataj, Matondo, Mba
Trajner. Xhovani Kolela

WhatsApp Image 2023-04-29 at 5.39.23 PM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"