VIDEO/ Pamjet që shqetësojnë Silvinjon, Uzuni del i dëmtuar nga fusha e lojës
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, duhet të jetë i shqetësuar pas asaj që ka parë sot në ndeshjen mes Granadas dhe Betis në La Liga. Sulmuesi Myrto Uzuni, ka lënë fushën e lojës për shkak dëmtimi që në pjesën e parë, duke shtuar problemet për teknikun e kuqezinjve.
Uzuni, edhe pse kishte shfaqur probleme fizike në ndeshjet e kaluara, ishte aktivizuar edhe sot titullar nga trajneri Pako Lopez, për të tentuar që të kthente skuadrën në shinat e duhura në një ndeshje delikate dhe për ta larguar nga zona e ftohtë e klasifikimit. Por në minutën e 36 të ndeshjes, sulmuesi pas një kontakti u rrëzua në tokë dhe menjëherë tregoi se kishte probleme muskulore.
Pasi fizioterapistët hynë në fushë, kërkuan zëvendësimin e lojtarit i cili doli dhe u ul në pankinë. Një shqetësim real për kuqezinjtë, vetëm dy javë para ndeshjes ndaj Çekisë, ku luhet fati i kualifikimit të Shqipërisë në Europian.
Me Uzunin që shfaq probleme e me Cikalleshin e dëmtuar, për trajnerin Silvinjo tashmë mund të duhet që të mendojë ndryshime në repartin e avancuar, pasi lojtarët e mësipërm mund të mos jenë në 100% kur të nisë grumbullimi i kuqezinjve.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"