VIDEO/ Një gol, një i kuq, VAR dhe polemika në fund. Egnatia mposht Erzenin dhe vazhdon marshimin në krye

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2023 | 0:08

VIDEO/ Një gol, një i kuq, VAR dhe polemika në fund. Egnatia mposht Erzenin dhe vazhdon marshimin në krye

Egnatia ka vazhduar të marshojë në kreun e renditje teksa ka mundur me shifrat 1-0 Erzenin në ndeshjen që hapi javën e 12-të të Superiores. Por nuk ka qenë një fitore e thjeshtë e rrogozhinasve, të cilët janë përballur me një ekip që u krijoi probleme deri në fundin e sfidës.

bandicam 2023-11-04 17-01-02-663

Pjesa e parë la shumë për të dëshiruar nga dy skuadra ndërsa në të dytën ishte ekipi i Egnatias që gjeti shpejt golin e avantazhit me anë të Zejnullait për të vendosur ndeshjen nën kontroll. Shijakasit provuan që të barazonin, por nuk kishin forcën goditëse për të shqetësuar shpesh Sherrin, ndërsa ndeshja u ndez në fund nga një karton i kuq i Fangajt që soli edhe vonesa për shkak të problemeve teknike me VAR-in.

Erzeni u hodh i gjithi në sulm në minutat shtesë të sfidës, në kërkim të barazimit, teksa e mbylli sfidën mes protestave për një prekje të topit me dorë në zonën rrogozhinase. Por ajo nuk u mor në konsideratë nga kryesorja Rusta e cila vërshëlleu për fundin e sfidës pas 14 minutave shtesë.

ERZENI-EGNATIA 0-1
54′ Zejnullai

NGJARJET KRYESORE

90’+14’ Shijakasit pretendojnë për prekje topi me dorë në zonë në aksionin e fundit, Rusta dëgjon sinjalizimin në kufje nga VAR dhe pastaj mbyll ndeshjen mes protestave të shijakasve. (VIDEO)

90’+12’ Karton i verdhë për Sherrin për vonesa loje.

90’+11’ Zejnullai dhe Fernando largohen nga fusha e lojës për t’i bërë vend Ahmetajt dhe Lemine.

90’+8’ Kundërsulm i shpejtë i Duamenës, Hasanbelli i ndërhyn në këmbë dhe devijon topin jashtë duke i dhënë një këndore rrogozhinasve. (VIDEO) (VIDEO)

90’+6’ Atanda ndëshkohet me karton të verdhë për një faull ndaj Duamenës.

90’+5’ Janku merr vendin e Spahiut në minutat e fundit.

90’+3’ Pas rreth 9 minutash, gjyqtarja i tregon kartonin e kuq Fangajt. (VIDEO)

90’ Jepen 9 minuta shtesë.

84’ Një ndërhyrje e Fangajt ndaj Rohas bën që gjyqtarja Rusta të shkojë të shohë pamjet në VAR për një karton të kuq apo penallti të mundshme për shijakasit. Problemet me monitorin vonojnë vendimin e kryesores.  (VIDEO) (VIDEO) (VIDEO)

81’ Ndreca i sapofutur ndëshkohet me karton të verdhë.

79’ Isgandarli dhe Ndreca marrin vendin në fushë të Paulauskas dhe Mustës.

78’ Mundësi e artë e Kiqinës për të barazuar shifrat me një gjuajtje të fortë nga jashtë zonës, sfera shkon jashtë, jo larg portës së Sherrit i cili nuk reagoi. (VIDEO)

75’ Spahiu vjen në ecje e sipër dhe gjuan drejt portës në pozicion ballor, topi devijohet në këndore.

74’ Alba i lë vendin Rohas, ndërsa Maliqi merr vendin e Osmanllarit në radhët e Erzenit.

68’ Kacbufi dhe Spahiu ndëshkohen me të verdhë pas një momenti tensioni mes të dyve.

67’ Kahrimanoviç ekzekuton një goditje dënimi nga e djathta, Atanda gjuan por jo me shumë forcë dhe sfera ndalet në duart e Sherrit. (VIDEO)

64’ Një tjetër mundësi e mirë e Egnatias për të shënuar pas goditjes nga këndi. Fernando harkon mirë në qendër, por shokët e tij të skuadrës nuk ia dalin të devijojnë.

60’ Mihana lë fushën e lojës për t’i bërë vend Kiqinës në radhët e Erzenit.

59’ Spahiu harkon nga e djathta një goditje dënimi në shtyllën e dytë, Hasanbelli del dhe kontrollon.

59’ Sadiki ndëshkohet me karton të verdhë për një ndërhyrje të parregullt.

54’ GOOOL EGNATIA! Top në zonë nga Mëllugja për Zejnullain i cili kontrollon dhe pastaj lëshon një gjuajtje të shkëlqyer që ndalet pas krahëve të Hasanbelli. (VIDEO)

51’ Presing i lartë i Egnatias e cila e ka nisur me një tjetër ritëm pjesën e dytë të ndeshjes.

49’ Egnatia ekzekuton një goditje këndi në të majtën, topi shkon rrezikshëm në shtyllën e dytë ku Xhemajli nuk ia del të devijojë. (VIDEO)

46’ Trajnerët nuk bëjnë ndryshime në startin e pjesës së dytë. Rifillon sfida.

45’+2’ Mbyllet pa gola pjesa e parë.

45’ Jepen 2 minuta shtesë.

43’ Mëllugja ndëshkohet me karton të verdhë për një faull ndaj Zekës.

40’ Harkim në zonën e Egnatias, Mihana zhytet me kokë për të gjuajtur por Malota largon sferën para sulmuesit. (VIDEO)

35’ Kahrimanoviç gjuan nga distanca, Sherri është në pozicion dhe kontrollon sferën. (VIDEO)

34’ Alba provon nga jashtë zonës në atë që është tentativa e parë e rrezikshme e kësaj ndeshje. Sfera kalon jashtë në të djathtë të portierit Sherri. (VIDEO)

31’ Kalon më shumë se gjysmë ore lojë dhe ende nuk ka asnjë gjuajtje në katërkëndor në këtë ndeshje.

27’ Egnatia fillon të shtyjë më shumë para me Spahiun dhe Fangajn, ky i fundit pason në qendër nga fundorja por sinjalizohet në pozicion jashtë loje.

21’ Fernando ekzekuton një goditje dënimi duke harkuar sferën në zonë, Hasanbelli grushton dhe largon topin në këndore.

17’ Duamena provon nga jashtë zonës, sfera fluturon larg katërkëndorit të portës.

15’ Top në thellësi për Mihanën, Malota bën një devijim vendimtar që çon sferën në duart e Sherrit.

12’ Shumë lëvizje nga të dy ekipet por deri tani nuk ka asnjë rrezik në të dy portat, pasi mbrojtjet nuk kanë lënë hapësira për gjuajtje.

7’ Harkim në zonë nga e majta e sulmit të Egnatias, Atanda spastron zonën para se sfera të arrijë te Duamena.

1’ Mihana insiston në krahun e djathtë, por harkimi i tij devijohet në këndore.

1’ Nis dueli në “Arenën e Demave”.

FORMACIONET ZYRTARE

ERZENI: Hasanbelli, Kacbufi, Sadiki, Atanda, Osmanllari, Alba, Migone, Kahrimanoviç, Mihana, Zeka, Meçja.
Trajner: Alfred Deliallisi

EGNATIA: Sherri, Malota, Xhemajli, Musta, Fangaj, Mëllugja, Zejnullai, Spahiu, Fernando, Paulauskas, Duamena.
Trajner: Edlir Tetova

Gyqtare: Emanuela Rusta

WhatsApp Image 2023-11-04 at 4.56.23 PM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"