VIDEO/ Luftë, raste dhe emocione deri në sekondën e fundit. Skënderbeu dhe Tirana e mbyllin në barazim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2023 | 0:01

VIDEO/ Luftë, raste dhe emocione deri në sekondën e fundit. Skënderbeu dhe Tirana e mbyllin në barazim

Skënderbeu dhe Tirana luajtën sot mes tyre një ndeshje shumë të rëndësishme për “Final 4” në Korçë, në ndeshjen e javës së 12 të Kategorisë Superiore. Një duel i cili është mbyllur në barazimin 1-1, duke lënë ndoshta të pakënaqura të dy skuadrat që kërkuan me ngulm fitoren deri në sekondën e fundit të sfidës.

skenderbeu tirana

Ekipet kanë zhvilluar një ndeshje shumë të mirë, duke luajtur të hapura në kërkim të golit dhe duke prodhuar raste të njëpasnjëshme nga një anë apo tjetra. Vendasit gjetën golin të parët me anë të penalltisë së Nikajt, teksa më pas shpërdoruan disa mundësi të tjera shënimi për golin e dytë. Bardheblutë ndërkohë i ndëshkuan me mundësinë që iu shfaq në sekondat e fundit të kësaj pjese,  duke bërë që ekipet të shkonin në baraspeshë në pushimin e duelit.

Fraksioni i dytë i lojës nisi me ritëm më të ngadaltë, për t’u ndezur përsëri në fund ku rastet shfaqeshin sa në një portë, në tjetrën. Të dy ekipet iu afruan golit, sidomos korçarët të cilët rrezikuan deri në sekondat para vërshëllimës përfundimtare që dekretoi barazimin 1-1.

SKËNDERBEU-TIRANA 1-1
27′ (p) Nikaj / 45’+3′ Kaina

NGJARJET KRYESORE

90’+6’ Mbyllet 1-1 ndeshja mes dy skuadrave.

90’+5’ Harkim i shkëlqyer nga e djathta për Rashicën, i cili gjuan me kokë por gjen përgjigjen e Kozit. (VIDEO)

90’+3’ Nga ana tjetër është Frenklin i cili pason në qendër për Rashicën por Përgjoni largon në këndore duke shpëtuar portën. (VIDEO)

90’+2’ Hasani lëshon në gjuajtje të shkëlqyer me të majtën nga jashtë zonës, Alia i mohon golin me një reagim me instinkt. (VIDEO)

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

90’ Mici dhe Qefalija hyn në fushë në vend të Jonuzit dhe Metës.

86’ Tirana në kontroll në këto minuta teksa tenton vazhdimisht që të gjejë një hapësirë për pasim në zonën e vendasve, pas shumë sukses.

80’ Rashica hyn në zonë dhe rrëzohet pas një kontakti me Najdovskin. Korçarët kërkojnë penalti por gjyqtari bën shenjë që nuk ka asgjë. (VIDEO)

78’ Goditje dënimi e Merlim që harkohet në zonë, ky Frenklin gjuan me kokë por nuk gjen portën e Kozit. (VIDEO)

78’ Haxhiu ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli ndaj Shaqes. Ky i fundit nuk vazhdon dot më dhe largohet me barrelë, duke i bërë vend Zenullarit.

77’ Tola merr vendin e Hilës në radhët e bardhebluve.

74’ Frenklin niset i vetëm drejt portës dhe mposht Kozin duke çuar sferën në rrjetë, por vijërojtësi sinjalizon për pozicion jashtë loje të sulmuesit të korçarëve duke anuluar golin. (VIDEO)

73’ Liço ndëshkohet me karton të verdhë.

71’ Abazaj merr vendin e Lushkjes në radhët e Tiranës.

71’ Frenklin menjëherë shfaqet rrezikshëm në zonë teksa tenton portën por sfera devijohet nga Meta.

69’ Frenklin merr vendin e  Nikajt te Skënderbeu.

67’ Liço provon me një goditje dënimi nga e djathta e sulmit, topi kalon mbi traversën e portës së Kozit.

63’ Shaqe ndëshkohet me karton të verdhë për një ndërhyrje të gabuar ndaj Haxhiut.

61’ Hoxhallari nga e majta harkon në shtyllën e dytë për Haxhiun. Ky i fundit shkakton faull ndaj Shaqes teksa tentonte të arrinte sferën dhe sinjalizohet për faull.

57’ Lëvizja e parë i përket Skënderbeut me Pecanin i cili i lë vendin në fushë Merlim.

56’ Pas një goditje këndi, Nikaj harkon rrezikshëm në shtyllën e largët me topin që devijohet jashtë.

53’ Bardheblutë insistojnë në krahun e majtë duke kërkuar fundoren, më pas është Përgjoni i cili pason në qendër por gjen devijimin e mbrojtësve korçarë të cilët largojnë rrezikun.

50’ Kombinim mes Përgjonit dhe Lushkjes, ky i fundit godet në mënyrë tërësisht të gabuar i vetëm në zonë duke fluturuar topin larg katërkëndorit. (VIDEO)

46’ Nis pjesa e dytë e ndeshjes pa ndryshime në radhët e dy skuadrave.

45’+3’ Mbyllet 1-1 pjesa e parë e ndeshjes.

45’+3’ GOOOL TIRANA! Gjuajtje radhazi të bardhebluve në zonë, topi përfundon te Kaina i cili gjuan në fund dhe shënon golin e barazimit. (VIDEO)

45’+2’ Kombinim Liço-Rashica, ky i fundit jep një pasim të artë për Nikajn i cili me portën bosh nuk gjen kontaktin me topin, duke shpërdoruar mundësinë e golit të dytë. (VIDEO)

45’ Jepen 3 minuta shtesë.

45’ Haxhiu provon me një goditje dënimi me të djathtën, topi kalon mbi traversën e portës së Alias pa shqetësuar portierin.

41’ Rashica shfaqet përsëri në zonën e bardhebluve në një duel me Metën. Futbollisti i korçarëve gjen hapësirën për të provuar diagonalen në shtyllën e largët por nuk e çon në shënjestër topin. (VIDEO)

35’ Hoxhallari nga e majta lëshon një gjuajtje-kros e cila harkohet rrezikshëm dhe prek pjesën e sipërme të traversës së portës së Alias, duke përfunduar më pas jashtë. (VIDEO)

33’ Hila ndëshkohet me karton të verdhë për një faull në mesfushë.

31’ Hoxhallari nis një top në thellësi për Kaina, askush nuk devijon dhe sfera përfundon rrezikshëm jashtë në fundore. (VIDEO)

29’ Nikaj shfaqet përsëri në krahun e djathtë, teksa lëshon në gjuajtje të fortë që mposht Kozin por ndalet nga traversa e portës së bardhebluve. (VIDEO)

27’ GOOOL SKËNDERBEU! Nikaj shënon nga pika e bardhë. (VIDEO)

24’ Penallti për Skënderbeun, Rashica hyn në zonë dhe rrëzohet pas një kontakti. Cjapi bën shenjë nga pika e bardhë mes protestave të bardhebluve. (VIDEO)

19’ Rifillon sfida pa probleme pasi i bëhet thirrje tifozëve për qetësi.

18’ Ndërpritet ndeshja për pak çaste pasi tifozët e Skënderbeut hedhin fishekzjarrë në fushë.

16’ Dy goditje këndi radhazi dhe dy skema që nxjerrin në pozicion goditje fillimisht Hasanin e më pas Jonuzin. Në rastin e parë sfera bllokohet nga mbrojtja korçare, ndërsa në të dytin sfera fluturon mbi traversë.

13’ Haxhiu nga e djathta gjen hapësirë dhe lëshon një diagonale e cila përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën e portës së mbrojtur nga Alia. (VIDEO)

12’ Rashica nga e djathta harkon në anën tjetër te Shaqe i cili vonohet në goditjen e tij drejt portës dhe bllokohet nga mbrojtja e bardhebluve. (VIDEO)

11’ Aksion me shumë pasime i korçarëve para zonës së Tiranës, në fund është Liço i cili vonohet dhe detyrohet të shkaktojë faull ndaj Metës i cili i kishte rrëmbyer topin dhe po nisej në kundërsulm.

8’ Pecani tenton me një gjuajtje të befasishme nga një pozicion ballor jashtë zonës, sfera përfundon jashtë në të djathtë të portierit Kozi. (VIDEO)

7’ Haxhiu nga e djathta hyn në zonë e tenton të gjuajë drejt portës, por sfera devijohet e përfundon në duart e portierit Alia.

3’ Hasani provon menjëherë me të majtën nga distanca, pa gjetur katërkëndorin.

1’ Nis dueli në Korçë.

FORMACIONET ZYRTARE

SKËNDERBEU: Alia, Ramos, Prençi, Dumfur, Frashëri, Rabiu, Peçani, Shaqe, Liço, Rashica, Nikaj.
Trajner: Ivan Gvozdenoviç

TIRANA: Kozi, Najdovski, Përgjoni, Hoxhallari, Meta, Haxhiu, Jonuzi, Hila, Lushkja, Hasani, Kaina.
Trajner: Julian Ahmataj

Gjyqtar: Kreshnik Cjapi

WhatsApp Image 2023-11-05 at 4.56.05 PM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"