VIDEO/ Inzagi specialist Kupash! Dopieta e Lautaros ndaj Fiorentinës, Interi fiton trofeun e 9-të në histori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2023 | 0:16

VIDEO/ Inzagi specialist Kupash! Dopieta e Lautaros ndaj Fiorentinës, Interi fiton trofeun e 9-të në histori

Interi triumfon për herë të 9-të në Kupën e Italisë. Zikaltërit e Inzagit mposhtën me përmbysje 1-2 Fiorentinën në finalen e zhvilluar në “Olimpico”. Skuadra vjollcë e drejtuar nga trajneri Italiano, kaloi e para në avantazh në minutën e 3-të me anë të Gonzalez, teksa interistët përmbysën po në pjesën e parë me Lautaro Martinez, që shënoi dopietë në harkun kohor të 8 minutave ( 29 dhe 37). 

Inter

Kjo ishte finalja e 15- të e Interit në Kupën e Italisë. Vetëm Juventusi (21) dhe Roma (16) kanë më shumë në historinë e turneut. 

Me triumfin ndaj Fiorentinës, zikaltërit e Interit u barazuan me Romën në vendin e dytë si skuadrat më të titulluara të kompeticionit, pas Juventusit që është i pari me 14 trofe. 

Vlen të theksohet fakti se kjo ishte finalja e tetë e Simone Inzagit si trajner në të gjitha kompeticionet. Pasi humbi finalen e tij të parë ndaj Juventusit në 2017, 47- vjeçari fitoi të 7 ndeshjet e ardhshme, duke përfshirë 4 në krye të Interit (dy herë Superkupën dhe 2 herë Kupën).  

FT FIORENTINA-INTER 1-2

Gonzalez 3′ / Martinez 29′, 37′

KOMENTI LIVE:

Mbyllet finalja! 

90′ Akordohen 5 minuta shtesë.

88′ Pranë golit Fiorentina me Niko Gonzalez, vendimtare ndërhyrja e Darmian, që largoi topin që po i drejtohej rrjetës.

83′ Zëvendësim te Interi, largohen Çalhanoglu dhe Lautaro Martinez, në fushë Korrea dhe Galjardini.

82′ Sërish rrezikshëm Fiorentina, me Joviç, që i shkon pranë golit të barazimit, por tentativa e tij me kokë shkon jashtë kuadratit.

79′ Handanoviç shpëton Interi, kapiteni ndal tentativën e Joviç duke i thënë “jo” gjuajtjes së serbit.

77′ Pranë golit Inter me Gosens, pas asistit të Lukakut, futbollisti gjerman nuk është koordinuar dot siç duhet me portën e boshtisur, duke e nxjerrë topin jashtë kuadratit.

74′ Kapiteni Biragi provon të shtangë Handanoviçin me një predhë nga distanca, por topi shkon ngjitur me traversën.

73′ Fiorentina në kërkim të golit të barazimit, Niko Gonzalez lëshon një gjuajtje të rrezikshme, por grushton Handanoviç, që largon topin në këndore.

68′ Interi bën zëvendësimin e radhë, largohet Dimarko, vendin e tij e merr Gosens.

67′ Pranë golit të tretë Interi me Lukakun, tentativa e belgut u ndal nga portieri i Fiorentinës, provoi edhe Dimarko, por akordohet pozicion jashtë loje.

58′ Dy zëvendësime te Interi, largohet Xheko dhe Bastoni në fushë Lukaku dhe De Vraj.

57′ Fiorentina jep sinjalin e parë të rrezikshëm në këtë pjesë e dytë me Kabral, por tentativa e tij me kokë ishte e lehtë dhe përfundoi drejt e në duart e portierit Handanoviç.

54′ Martinez Kuarta është futbollisti i radhës i ndëshkuar me karton të verdhë.

53′ Bastoni është i ndëshkuari i parë i sfidës, për ndërhyrje të gabuar ndaj Niko Gonzalez.

46′ Starton pjesa e dytë.

Mbyllet pjesa e parë. 

45′ Akordohet 1 minutë shtesë.

37′ GOOOOL INTER 1-2/ Zikaltërit përmbysin gjithçka me Lautaro Martinez, që goditi fluturimthi brenda zonës, pas asistit të Barelës, dhe me një gjysmëroveshatë përshëndeti sërish rrjetën. 

31′ Pranë golit të dytë Interi me Xhekon, por kontrollon gjithçka portieri Terraçano.

29′ GOOOOOL INTER 1-1/ Vendoset baraspesha, Lautaro Martinez gjen rrugën e rrjetës! Argjentinasi nuk fal pas asistit të Brozoviç, duke përshëndetur rrjetën. 

24′ E pabesueshme çfarë humbet Xheko. I vetëm përballë portieri boshnjaku e ka çuar topin mbi traun e portës. Nuk i beson syve Inzagi. Shans ideal për Interin.

20′ Interi has vështirësi në krijimin e aksioneve të rrezikshme, minuta më të mira për Fiorentinën që herë pas here hidhet në kërkim të golit të dytë.

12′ Pranë golit të dytë Fiorentina me Amrabat, tentativa e marokenit shkon ngjitur me shtyllën e portës së mbrojtur nga Handanoviç.

6′ Kundërpërgjigjet Interi me Xhekon, që provon të kërcënojë portën e Fiorentinës, por topi devijohet dhe shkon në goditje nga këndi.

3′ GOOOOL FIORENTINA 1-0/ Zhbllokohet sfida, skuadra “vjollcë” gjen rrugën e rrjetës. Gonzalez godet saktë nga e djathta e zonës, pas asistit të Ikone, duke mposhtur portierin Handanoviç. Nisje fantastike për skuadrën e Italianios. 

1′ Starton finalja e Kupës së Italisë!

FORMACIONET ZYRTARE

Fiorentina (4-3-3): Terraçiano; Dodo, Milenkoviç, Kuarta, Biragi; Bonaventura, Amrabat, Kastrovili; Ikone, Kabral, Gonzalez.
Trajner: V. Italiano

Inter (3-5-2): Handanoviç; Darmian, Açerbi, Bastoni; Dumfris, Barela, Brozoviç, Çalhanollu, Dimarko; Xheko, Lautaro Martinez.
Trajner: S. Inzagi

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"