VIDEO/ Flamurtari pa frena, zhyt Tomorin në fund, trajneri Memushi: Jemi gati dhe luftojmë për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2024 | 12:40

VIDEO/ Flamurtari pa frena, zhyt Tomorin në fund, trajneri Memushi: Jemi gati dhe luftojmë për Superioren

Flamurtari “fik” shpresën e fundit të Tomorit për mbijetesë dhe me fitoren e merituar në Berat vlonjatët, nën drejtimin e trajnerit Eqerem Memushi, duken në rrugën e duhur për objektivin madhor. Trajneri Memushi e ka ndjekur ndeshjen nga tribuna, pasi është i pezulluar nga Disiplina, por kjo nuk i pengoi kuqezinjtë që të fitonin në shifrat 4-1 në transfertë.

memushi ribaj shkurtaj

Takimi nis me një rast të pastër nga vendësit, por pa rezultat. Në minutën e 29-të vlonjatët kalojnë në avantazh me mbrojtësin Deliaj, që finalizon bukur aksionin e shpejtë të miqve. Por Flamurtari nuk heq dorë nga loja sulmuese dhe e shfrytëzojnë mjaft mirë goditjen psikologjike të beratasve. Me kombinime të bukura të Indios dhe Shkurtajt, ky i fundit shmang edhe portierin dhe realizon golin e dytë në minutën e 33-të. Pas këtij goli beratasit sikur reflektojnë  dhe në minutën e 41-të kapiteni Çaço shënon me një goditje të kalibruar nga jashtë zonës.

Në shifrat 2-1 për vlonjatët u mbyll pjesa e parë. Në të dytën pritej reagimi i vendësve, por sërish janë vlonjatët zotë të lojës, ku dyshja Indio-Shkurtaj vënë disa herë në vështirësi Tomorin.  Në minutën e 77-të  La Torre shërben bukur për Podrimcakun, që brenda zonës beratase nuk fal duke shënuar golin e tretë për Flamurtarin. Ky ishte një gol i prodhuar nga dy lojtarë që hynë në fushë si zëvendësues.

Tomori duket i dorëzuar para 1500 tifozëve beratas, ndërsa Flamurtari nuk lëshon terren dhe gjen mundësinë për të shënuar edhe golin e katërt. Batha fiton një penallti pas një ndërhyrjeje të gabuar të portierit Zema dhe është po vetë mesfushori që e finalizon goditjen nga pika e bardhë. Gjithçka përfundoi në shifrat 4-1, teksa Tomori e mbylli fazën e dytë në vend të fundit.

 

Trajneri i Flamurtarit

Memushi: Jemi gati dhe luftojmë për Superioren

 

Eqerem Memushi, edhe pse nuk ishte prezent në pankinë, e shijoi shumë fitoren e Flamurtarit nga tribuna. Pas suksesit në berat trajneri vlonjat për “Panorama Sport” u shpreh: “Pavarësisht dënimit të pamerituar, respektoj çdo vendim. Fitoren e kam shijuar nga tribunë së bashku me stafin dhe miqtë e ardhur nga Vlora. Ishim përgatitur dhe u shpërblyem me fitore. Gjithçka e kemi merituar dhe kemi treguar se jemi një skuadër serioze, që vlerëson çdo kundërshtar, pa parë pozicionin që mban.

Keqardhje për Tomorin dhe miqtë e mi të shumtë beratas, sepse kam kontribuar për këtë skuadër dhe sinqerisht uroj me gjithë zemër që të ringrihen sa më shpejt. Ndërsa Flamurtari po vjen në ngritje nga java në javë dhe ne jemi gati për të luftuar denjësisht për ngjitjen në elitë. Nuk e keni parë ende Flamurtarin e denjë për Superioren”.

;

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"