VIDEO/ Atletika shqiptare mbyll sezonin me festë, të gjithë në valle nga Stërmasi te Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2023 | 18:50

VIDEO/ Atletika shqiptare mbyll sezonin me festë, të gjithë në valle nga Stërmasi te Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj

Federata Shqiptare e Atletikës mbylli zyrtarisht sezonin, teksa zhvilloi sot asamblenë vjetore si dhe ceremoninë e vlerësimit për sportistët e vitit. Në kategorinë e të rinjve atletët më të mirë të 2023-shit u shpallën Redia Dauti e Tiranës dhe Kolindo Kiri i Vllaznisë, dy talente shumë premtues, të cilët kanë shkëlqyer me paraqitjet e tyre në eventet kombëtare dhe ndërkombëtare.

atletika

Në radhët e të rriturve, vlerësimin e atletit të vitit e meritoi Franko Burraj i Vllaznisë, i cili zhvilloi një tjetër sezon të madh, duke stampuar 3 rekorde kombëtare. Te femrat çmimi shkoi për Luiza Gegën, me kampionen kuqezi që përfundoi një tjetër vit me rekorde dhe rezultate të pabesueshme, duke vijuar që të rishkruaj historinë e këtij sporti, si atletja më e mirë e të gjithë kohërave për Shqipërinë. Bruno Rrotani i Vllaznisë u vlerësua me çmimin e trajnerit të vitit, ndërsa një tjetër kuqeblu, Albert Marashi, mori çmimin për kontributin e tij në masivizimin e atletikës.

Gjithashtu vlerësime mirënjohjeje për kontributin e tyre në atletikë FSHA u akordoi edhe ish-drejtuesve, Gjergj Rulit dhe Nikolin Dionisit, ashtu sikurse edhe presidentit të Komitetit Olimpik, Fidel Yllit. Pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm është kohë për festë në komunitetin e atletikës. Të gjithë në valle, nga presidenti Taulant Stërmasi, për të vijuar me Luiza Gegën, Izmir Smajlajn, Franko Burrajn e me radhë, krijuan një atmosferë mjaft të bukur në festën e FSHA-së.

Momente nga darka festive e organizuar nga Federata Shqiptare e Atletikës (VIDEO)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"