Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ 16 bashki pa skuadra, ja qytetet ku mungon futbolli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2023 | 21:02

Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ 16 bashki pa skuadra, ja qytetet ku mungon futbolli

Reforma e re adminis trative-territoriale në Shqipëri, e miratuar në vitin 2014, synonte përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike vendore, duke e “tkurrur” vendin në 61 bashki nga 373 bashki dhe komuna që ishin më parë.

kamza

Një reformë e tillë u mendua se do të sillte në mënyrë indirekte edhe efektet e saj në fushën e sportit dhe më konkretisht të futbollit. Me bashkitë, të cilat tanimë do të ishin më të mira financiarisht, së paku do të bënin të mundur që banorët e tyre të përfaqësoheshin edhe me një klub futbolli. Ose së paku, të krijonin kushtet për afrimin e investitorëve privatë.

Mirëpo, kur kanë kaluar afro tetë vjet që nga koha kur u bënë zgjedhjet vendore të 2015-ës me reformën e re territorial, duket se efektet pozitive nuk i ka dhënë në të gjithë vendin. Sipas një vëzhgimi të bërë nga “Panorama Sport”, nga 61 bashki të vendit, në 16 prej tyre nuk ekziston një ekip futbolli dhe sipas referimit të shifrave të censusit të vitit 2011, mbi 330 mijë qytetarë janë të papërfaqësuar në futbollin shqiptar.

QYTETET PA FUTBOLL

Rasti më tipik dhe fatkeq që një qytet nuk ka një skuadër futbolli është ai i Kamzës. Bëhet fjalë për më shumë se 100 mijë banorë, që janë privuar nga ky fakt, me skuadrën e dikurshme që u shkri para disa vitesh dhe nuk u rikthye më. Kamza, është njëherësh edhe i vetmi qytet i Qarkut të Tiranës që aktualisht nuk e ka një skuadër futbolli. Aktualisht në stadiumin e Kamzës luan Kastrioti i Krujës, që merr pjesë në Kategorinë Superiore.

Për të vijuar më pas me bashkinë tjetër pa ekip futbolli, Divjakën, e cila ka gjithashtu një numër relativisht të konsiderueshëm banorësh, mbi 34 mijë. Në Qarkun e Fierit është edhe bashkia e Roskovecit, që prej kohësh nuk e ka në plan futbollin. Lista është e gjatë, ku theksohen ato të Dimalit (Ura Vajgurore) apo Poliçanit, në Qarkun e Beratit, që deri pak vite më parë ka qenë pjesë e Kategorisë së Dytë.

Në Qarkun e Elbasanit është Prrenjasi, me këtë të fundit që historikisht ka pasur një klub futbolli dhe ka përfaqësuar me emrin Domosdova këtë qytet, por prej disa vitesh nuk ekziston më. Gjithashtu pa një ekip futbolli është edhe Belshi. Ndërsa Mirdita në qarkun e Lezhës apo edhe Fushë-Arrëzi në atë të Shkodrës gjithashtu bëjnë pjesë në listën e këtyre qyteteve që e kanë “fshirë” nga harta sportin më popullor në vend.

Në qarkun e Vlorës janë tri qytete që vuajnë në këtë aspekt, siç janë ato të Selenicës, Finiqit apo Konispolit. Prapa nuk mbetet as Qarku i Gjirokastrës me Libohovën dhe Dropullin apo ai i Korçës me Pustecin dhe i Kukësit me Hasin, që nuk janë prej kohësh në hartën e futbollit.

vendet ku mungon futbolli

QYTETARË TË PAPËRFAQËSUAR

Mungesa e një skuadre futbolli nënkupton mospërfaqësimin e banorëve të këtyre qyteteve në këtë sport. Dhe, nuk janë pak, pasi në total janë mbi 330 mijë banorë, që janë të detyruar të bëjnë “tifo” për ekipe të tjera, në mungesë të skuadrës së qytetit të tyre. Sigurisht, në disa prej tyre numri i banorëve që jetojnë aty është shumë i vogël, edhe pse ky fakt nuk përbën justifikim për mosekzistencën e një ekipi të sportit më popullor në botë.

E përkthyer në shifra, afërsisht 1/8 e popullsisë së vendit nuk ka një skuadër futbolli në qytetin ku banojnë. Ndoshta shumë insitucione vendore as nuk e kanë në plan krijimin e një ekipi dhe për aq kohë sa do të vijojë kjo situatë, mijëra qytetarë do të vijojnë të mbeten të papërfaqësuar në futbollin shqiptar.

VLADIMIR MEMA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"