Vetëm 3 prej tyre luajnë, Shkumbini në dilemë për të ardhmen e 7 futbollistëve të huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2021 | 17:12

Vetëm 3 prej tyre luajnë, Shkumbini në dilemë për të ardhmen e 7 futbollistëve të huaj

Nëse ka skuadër që mund të krenohet për ecurinë e këtyre 4 javëve, ajo është pa dyshim Shkumbini. Jashtë çdo parashikimi, peqinasit kanë grumbulluar 9 pikë. Pavarësisht problematikës që patën që gjatë fazës përgatitore dhe merkatos së vonuar, kanë regjistruar tri fitore dhe një humbje. Largimi i presidentit italian Alesandro Borrela krijoi jo pak “amulli” në Peqin.

Apolonia-Shkumbini

Mungesa e financave largoi trajnerin Lorenc Pashja, që u pasua nga Artan Bano. Por edhe ky i fundit u dorëhoq pa nisur sezoni dhe vendin e tij e zuri sërish trajneri i mëparshëm. Situata ishte e zymtë, por dy javë para se të startonte kampionati, u bë një “mal” me afrime. Mes prurjeve, ka edhe në 9 të huaj. Si asnjëherë më parë në historinë e tyre, lojtarët vijnë nga çdo cep i globit.

Ramon Abreu, Andre Guerra Ugarte, Felipe Silva de Souza, Rafael Sena, Dione Hose de Almeida, Çinonso Onuh, Inagaki Taiga, Tomonari Miyazaki dhe Ryoya Oshimoto i janë bashkuar në verë ekipit, ndërsa Raafel Barbosa është nga vjet. Pra, e thënë ndryshe, janë 10 të huaj. Konkretisht, janë 4 brazilianë, një kolumbian, një kilian, një nigerian dhe dy futbollistë japonezë. Por jo të gjithë kanë ardhur në formë të mirë fizike, ndaj shumica kanë qenë edhe në tribunë deri më tani.

Vetëm Barbosa, Onuh e Sena kanë luajtur rregullisht në kampionat, ndërsa minuta në Kupë ka marrë edhe japonezi Miyazaki. Nuk dihet qartë se cili është plani i stafit teknik dhe i klubit për këta lojtarë që kanë ardhur nga shumë larg, por nuk shihen si pjesë e listës së futbollistëve që mund të aktivizohen në takimet e kampionatit. Mbetet për t’u parë se çfarë mund të ndodhë në janar, kur klubi mund të kërkojë të bëjë ndonjë afrim cilësor nga tregu shqiptar.

FATMIR AHMETI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"