“Vetë e premtuam ngjitjen për 100-vjetor”, ish-kapiteni i Tomorit: Nuk më pëlqen kjo qetësi, bashkia të “zgjohet”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2022 | 15:38

“Vetë e premtuam ngjitjen për 100-vjetor”, ish-kapiteni i Tomorit: Nuk më pëlqen kjo qetësi, bashkia të “zgjohet”

Ka kaluar gjysma e muajit qershor dhe nga ana e Bashkisë Berat nuk ka ende asnjë qëndrim zyrtar për sa i përket zyrtarizimit të stafit teknik. Ndërkohë që nuk është bërë asnjë tentativë për të bërë publike mënyrën se si do të organizohet skuadra e Tomorit në sezonin e ri futbollistik, që përkon edhe me 100-vjetorin e themelimit të klubit.

bledar dura

Ish-kapiteni Bledar Dura, i njohur si një nga zërat më të fortë oponentë, i bën apel kryebashkiakut që të “zgjohet” sa nuk është vonë.

Për “Panorama Sport”, ish-portieri saktëson se kjo heshtje është në dëm të futbollit.

“Nuk ka asnjë arsye që bashkia të vonohet. Një orë e më parë duhet të zbardhin projektin për 100-vjetorin e klubit. Në fund të fundit, vetë e premtuan që do të bëhej maksimumi për rikthimin në elitë. Por koha ikën shpejt, ndaj le të lëvizin. Stafit teknik i duhet dhënë i gjithë suporti i nevojshëm financiar, në mënyrë që të punojnë sa më të sigurt në merkaton e verës. Mos harrojmë, që shumë skuadra kanë nisur nga puna. Nuk më pëlqen kjo qetësi. Kaloi gjysma e qershorit e s’kemi asnjë lëvizje zyrtare. Po qe se bashkia e ka ndarë mendjen se do të mbështesë Tomorin për 100-vjetorin dhe do ta ngjisë në elitë, atëherë të dalë përpara qytetarëve dhe të bëjë publik qëndrimin dhe projektin e saj. Në të kundërt, çdo vonesë është e dëmshme për vetë skuadrën, ndaj dhe të mos heshtet kaq gjatë, por të lëvizet sa më shpejt”, ka mbyllur Dura.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"