“Vështirë se mund të përsëritet historia e Skënderbeut”, premtimi i Fakiç: Luftojmë për “Final 4”, pas dy vitesh do shihni Dinamon e vërtete

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2023 | 19:24

“Vështirë se mund të përsëritet historia e Skënderbeut”, premtimi i Fakiç: Luftojmë për “Final 4”, pas dy vitesh do shihni Dinamon e vërtete

Dinamo këtë vit ka nisur në projekt të ri sportiv dhe ia ka besuar gjithçka një emri shumë të njohur të futbollit shqiptar, Haris Fakiç. Drejtori sportiv i bluve ishte një nga arkitektët e Skënderbeut kampion dhe tani mendon të bëjë të njëjtën gjë edhe me blutë.

4d-768x474

Në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, ai ka treguar se si është ky cikël që ka nisur Dinamo, cilët janë objektivat dhe pse nuk funksionoi ideja fillestare e klubit me Di Biaxhon, para se t’i kthente përsëri pankinën Dritan Mehmetit. Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, Fakiç theksoi se për të parë një projekt plotësisht funksional, tifozët e Dinamos duhej të pritnin një apo dy sezone.

Nga Tirana te Partizani, 5 ndeshje me Mehmetin në stol, asnjë humbje, 9 pikë në total. A jeni bërë pishman që nuk i besuat që në fillim Mehmetit? Mos humbët më shumë kohë se duhej me Di Biaxhon?
Me Di Biaxhon ishte një projekt që rezultoi ndryshe nga ajo çfarë prisnim. Mendoj që ishte një lëvizje e bujshme dhe interesante për kampionatin shqiptar. Futbolli ka specifikat e veta dhe mungesa e rezultateve të sjell në këtë pikë. Futbolli është i paparashikueshëm. Asgjë në futboll nuk të jep garanci.

Fakiç, e ka Dinamo një objektiv të qartë këtë sezon, çfarë synoni?
Dinamo është një ekip i ndërtuar nga e para. Në formacionin me anë të të cilit luajmë, kemi shumicën e lojtarëve që janë takuar për herë të parë. Vetë ne si klub kemi emër dhe peshë, nuk të lejon të mendosh për objektiva të vogla. Ne duhet të luftojmë për top 4.

Mehmeti kërkon një merkato të fortë, jeni të gatshëm t’ia plotësoni? Çfarë i duhet këtij ekipi?
Të gjitha ekipet mendojnë për merkaton. Si çdo ekip tjetër, edhe ne kemi nevojë për merkato. Jemi në negociata me disa lojtarë dhe besoj se sa më shpejt, do kuptohet se kush do afrohet te ne. Kemi skuadër të fortë dhe kemi kualitet. Unë mendoj që na duhet nga një lojtar për çdo repart.

Haris, te Skënderbeu e kthyet merkaton në art, keni realizuar goditje fantastike. A mund të përsëritët me ajo kohë? A mund ta bëni diçka të ngjashme te Dinamo?
Tani ajo histori vështirë se mund të përsëritet. Skënderbeu ka bërë histori. Unë besoj se Dinamo ka potencial, ndoshta nuk është gati për momentin, por më vonë po. Me gjithë atë histori dhe emër, atë peshë që ka, besoj se ka potencial.

Nëse kthehemi pas në kohë, cila ka qenë lëvizja juaj me e madhe dhe me kryesorja? Keni ndonjë plan të madh për Dinamon?
Kemi bërë lëvizje kualitative. Një nga lëvizjet më cilësore ishte ajo e Olajinkës te Genti në Belgjikë.

Si të duket sot niveli? Dikur kishim vetëm Skënderbeun që e ktheu në monopol futbollin shqiptar, po sot si të duket?
Nuk mbaj mend një kampionat të ketë filluar në këtë mënyrë, pra të jenë ekipet kaq të barabarta. Të gjithë ekipet luajnë për gjithçka.

Jeni pjesë e një klubi shumë të madh, a duhet të presin shumë tifozët për të parë sërish një Dinamo kampione?
Ka 10 vite që kemi qenë jashtë vëmendjes. Ka qenë një klub që edhe pse me histori të madhe, ka qenë i hedhur diku ku nuk i takon të jetë. 1 deri në 2 sezone le të kalojnë, pastaj tifozët të shikojnë Dinamon e vërtetë.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"