Verner rikthehet në kombëtare: Flik më hapi sytë, tani jam gati për Gjermaninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2022 | 14:17

Verner rikthehet në kombëtare: Flik më hapi sytë, tani jam gati për Gjermaninë

“Periudha me e keqe kaloi, jam gati për kombëtaren falë Hansit… Timo Verner mbetet një nga lojtarët më të dashur të trajnerit Hansi Flik, i cili nuk e ka menduar gjatë ftesën ndaj sulmuesit gjerman. Edhe pse Timo nuk ka qenë aktiv me ekip e Çelsit, transferimi në Lajpcig duket se e ka ringjallur sërish:

VERNER

“E ndiej veten se ende nuk jam gati plotësisht, por periudha e fundit pas transferimit më ka ndryshuar ritmin. Transferimi në Londër nuk shkoi ashtu siç do të dëshiroja, tashmë gjithçka i përket së shkuarës dhe fokusi aktual mbeten dy ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe përfshirja me kombëtaren në Botërorin e Katarit”, pohoi me besim 27-vjeçari.

Timo u ndal edhe në përbërjen e ekipit dhe ndikimin e lojtarëve të rinj në të: “Në kombëtaren tonë ka shumë lojtarë të rinj, por të cilët kanë bërë mirë në klubet respektive dhe kjo është shenjë pozitive se ata janë gati të marrin përgjegjësi mbi shpinë, madje edhe kur bëhet fjalë për një kompeticion si Kupa e Botës”.

Fjalët e trajnerit Hansi Flik kanë hedhur rrënjë të thella në ecurinë e sulmuesit gjerman: “Me Flikun kam komunikuar disa herë në telefon. Ai më ka ndihmuar për të mos i parë gjërat negativisht, biseda me të m’i hapi sytë. Por kjo nuk do të thotë se e kam të siguruar vendin për Botërorin”, përfundoi ai.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"