Verdheblutë po thyejnë rekorde, Besa i “heq” tifozët Elbasanit: Keni 30 vende

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2023 | 20:29

Verdheblutë po thyejnë rekorde, Besa i “heq” tifozët Elbasanit: Keni 30 vende

Besa i “heq” tifozët Elbasanit. Të enjten lu ajnë me verdheblutë, por me rregulla të paracaktuara. Kur dihet që stadiumi i Luzit ka vetëm 600 vende, janë të detyruar që të vendosin disa kushte. Nuk mund të përballojnë dot fluksin e sportdashësve miq, ndaj nuk do të lejojnë më shumë se 5%.

Tifozet e Elbasanit

E thënë në shifra: vetëm 30 veta do të kenë mundësi që të shohin drejtpërdrejtë këtë ndeshje. Shumë pak për një tifozëri që është duke thyer rekorde në këto 4 javët e para të Kategorisë së Parë, duke i dhënë leksione edhe elitës së futbollit shqiptar. Në shtëpi kanë pasur mbi 5000 spektatorë, ndërsa në transferta diçka më shumë se 500.

Me këtë mesatare, Besës nuk i mbeten vende për tifozët e vet. Të vendosur para kësaj situate, në klub kanë marrë këtë masë. Nisur nga rëndësia e kësaj përballjeje dhe interesimit mjaft të madh të kavajasve, klubi ka vendosur të njoftojë se do të pranojë në stadiumin e Luzit vetëm 30 tifozë miq dhe asnjë më shumë. Kjo shihet si masë për të evituar çdo skenë të papranueshme jashtë stadiumit para nisjes së takimit.

NJOFTIMI I KLUBIT

“Nisur nga interesimi i madh i tifozëve kavajas, për të ndjekur në stadium BesaElbasani, jemi të detyruar që të njoftojmë KS Elbasanin dhe shoqatën e tifozëve të këtij qyteti, se në stadium nuk do të lejohen më shumë se 30 tifozë verdheblu. Meqë kapaciteti i stadiumit është me vetëm 600 ulëse, atëherë 5% të biletave i kemi rezervuar për tifozët miq nga Elbasani.

Kjo masë jona është e imponuar nga kapaciteti i stadiumit, pasi priten qindra tifozë tanët dhe nuk duam as nuk do të lejojmë që tifozët miq të kthehen mbrapa në Elbasan, pa hyrë dot në stadium. Ndaj informojmë KS Elbasanin, shoqatën e tifozëve të këtij qyteti, të mos udhëtojnë më shumë se 30 tifozë drejt Luzit, pasi nuk do të lejohen të futen në stadium. Ndjesë, por është një masë e imponuar dhe e detyrueshme nga ana jonë”, shkruhej në njoftimin e klubit kavajas.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"