Verdheblutë duan të thyejnë ngërçin me rivalët. Elbasani drejt Ballshit me tifozë, do revanshin dhe kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2024 | 17:23

Verdheblutë duan të thyejnë ngërçin me rivalët. Elbasani drejt Ballshit me tifozë, do revanshin dhe kreun

Elbasani luan të hënën e 26 shkurtit një ndeshje që me shumë gjasa do të vendosë jo pak për titullin kampion në Kategorinë e Parë. Verdheblutë janë të qetë sa i takon Superiores, pasi kundërshtarët janë 10-të pikë larg tyre. Kështu që i gjithë fokusi është përqendruar të ballshiotët, të cilët dje humbën ndeshjen e prapambetur me Kastriotin dhe diferenca dy pikëshe mbetet e rikuperueshme.

elbasani

Për këtë arsye, në Elbasan janë të mobilizuar për të marrë maksimumin e mundshëm në këto 90 minuta. Pritet që ekipi të kenë mbështetjen e tifozëve të shumtë, që kanë nisur organizimin. Një fitore me Bylisin e ngre shumë moralisht skuadrën, sepse i jep vendin e parë dhe tregon forcën përballë kundërshtarëve direkt.

LUHET PRESTIGJI – Futbolli duket se po vjen e bëhet gjithnjë e më cinik, por në Elbasan shihet përtej kësaj, pasi synojnë Superioren. Skuadra luan ndaj Bylisit edhe për prestigj, duke parë investimet që janë bërë këtë sezon dhe synimet e qarta. Në klub “djeg” ende barazimi në fazën e parë, që i hoqi mundësinë të merrnin vendin e parë. Elbasanasit do të tentojnë të shlyejnë “gabimin” në Ballsh. Ai rezultat i la të pakënaqur, edhe për faktin se luanin përballë afro 7 mijë tifozëve. Mund të thuhet me pak fjalë se e vetmja gjë që i ka munduar këtë sezon është pikërisht vendi i parë, duke humbur disi terren me ballshiotët. Të hënën kanë mundësinë ta marrin këtë pozicion dhe të jenë ata që komandojnë Kategorinë e Parë.

NGËRÇI ME RIVALËT – Me dy rivalët direkt të këtij edicioni, Elbasani ka ngecur. Me Flamurtarin numëron një humbje dhe një barazim, ndërsa me Bylisin ka vetëm atë barazim në “Elbasan Arena”. Ky është një fakt që rëndon psikologjikisht në skuadër, por nëse mundin Bylisin në Ballsh, atëherë thyejnë edhe këtë ngërç me rivalët direkt. Gjithsesi, në një kampionat rëndësi kanë pikët që koleksionon deri në fund dhe verdheblutë në atë aspekt janë në rregull. Me Superioren thuajse të arritur, Elbasani dëshiron ta bëjë këtë hap duke marrë fitore edhe ndaj rivalëve dhe të mos i gëzohet vetëm pikëve që i realizojnë objektivin.

VLADIMIR MEMA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"