Vendosi derbin ndaj Devollit, Shyti: Nuk njohim rival në Kategorinë e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 23:50

Vendosi derbin ndaj Devollit, Shyti: Nuk njohim rival në Kategorinë e Dytë

Mesfushori pogradecar, Ildian Shyti, i rikthyer në shtëpi këtë sezon, pranoi të largohej nga Egnatia dhe të vazhdonte karrierën me skuadrën e vendlindjes dy kategori më poshtë. Në javën e parë të Kategorisë së Dytë, ai u bë protagonist absolut në takimin ndaj Devollit, duke shënuar dy gola nga penalltia në fitoren 2-1.

SHYTI2

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Shyti flet për startin e sezonit dhe synimet që ka Pogradeci. “Jam shumë i lumtur që jam rikthyer në shtëpi dhe që kam shënuar në derbin ndaj Devollit dy herë. Shpresoj që të vazhdoj të shënoj akoma dhe të ndihmoj ekipin për arritjen e objektivit, që është ngjitja në Kategorinë e Parë.

E nisëm mirë, por çdo ekip ka vlerat e veta, po ashtu dhe Devolli, që meriton respekt. Megjithatë, më duhet të them se Pogradeci nuk ka asnjë kundërshtar, përveç vetes. Tri pikët e para na japin siguri, pasi siç i thonë fjalës fillimi i mbarë është gjysma e punës”, theksoi mesfushori, i cili foli edhe për sfidën e radhës me Elbasanin. “Sa i përket ndeshjes së radhës, ne respektojmë çdo kundërshtar, por sërish po e them se nuk njohim rival.

sHYTI

Në çdo sfidë do të japim maksimumin. Kampionati është i gjatë, por ne luajmë gjithmonë për tri pikë. Nëse duhet të diskutojmë ngjitjen në Kategorinë e Parë me këtë grup lojtarësh dhe këtë staf që ka Pogradeci, atëherë është e kotë që të vazhdojmë futbollin”, përfundoi lideri i liqenorëve, i cili në sezonin e fundit ishte pjesë e Egnatias së Rrogozhinës në Superiore, ndërsa këtë verë u kthye në vendlindje.

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"