Vendi i dytë 7%, i treti 26% probabilitetet e një ëndrre

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2023 | 17:07

Vendi i dytë 7%, i treti 26% probabilitetet e një ëndrre

Duke përdorur të gjitha statistikat e hollësishme futbollistike “online” të ndeshjeve që kombëtaret e Spanjës, Italisë, Kroacisë e Shqipërisë (të cilat bëjnë pjesë në Grupin B të Europianit 2024) kanë zhvilluar në dy vitet e fundit, ndërtova një model simulacioni statistikor, për të llogaritur probabilitetet e renditjes në grup që mund të arrijë kombëtarja jonë e futbollit në Gjermani (FSHF-ja mund të ketë statistika më të hollësishme sesa ato që janë të disponueshme “online” në internet).

Eduard-Zaloshnja

Që Shqipëria të renditet e para në grup, probabiliteti rezulton pothuaj 0 (bazuar në statistikat e disponueshme “online”). Që Shqipëria të renditet e dyta në grup, probabiliteti rezulton rreth 7.1% (bazuar në statistikat e disponueshme “online”). Që Shqipëria të renditet e treta në grup, probabiliteti rezulton rreth 26.2% (bazuar në statistikat e disponueshme “online”). Meqë kemi një probabilitet jo të neglizhueshëm për të përfunduar të tretët në grup, vlen të ndërtohet një model simulacioni statistikor, për të parë se si mund të konkurrojmë me vendet e treta në grupet e tjera (4 nga 6 të tretat në grupe kualifikohen, bazuar në golavarazhin që arrijnë në secilin grup).

Por një model i tillë është pothuaj i pamundur të ndërtohet, pa ditur se cilat do të jenë tri ekipet që do të futen në Europianin 2024 pas fazës “play off” të marsit. Vetëm atëherë mund të ndërtohet një model i plotë simulacioni statistikor. E sidoqoftë, çdo model simulacioni statistikor, sado rigoroz të jetë, mund të hidhet në erë nga një predhë e papritur e Asanit, Asllanit, apo Bajramit. Ose nga një pritje magjike e Etrit Berishës në minutën e fundit…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"