“Vazhdoj me Juven”, Di Maria paralajmëron rinovimin me “zonjën”: Më mungon vetëm Liga e Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2023 | 15:16

“Vazhdoj me Juven”, Di Maria paralajmëron rinovimin me “zonjën”: Më mungon vetëm Liga e Europës

Angel di Maria është më i dashuruar se kurrë me Juven, pavarësisht dyshimeve që pati verën e kaluar për të nënshkruar me “zonjën e vjetër”. Dhe këtë marrëdhënie të fortë ai e konfirmon përpara ndeshjes më të rëndësishme sezonale, gjysmëfinales së vajtjes së Ligës së Europës, sot në orën 21:00, në “Allianz Stadium”, kundër Seviljes. Argjentinasi ishte përkrah trajnerit Alegri, për të cilin nuk i kurseu komplimentet.

di maria

Angel, cila është gjendja juaj dhe e shokëve tuaj?

Jemi mirë. Vijmë nga një fitore e rëndësishme me Atalantën, e cila na ka dhënë moralisht një shtytje të madhe. Kemi besim të madh për sfidën me Seviljen, siç u pa edhe në stërvitjen e sotme (dje).

Cila është marrëdhënia juaj me Alegrin?

Në karrierën time kam kaluar shumë trajnerë, por di të them se Alegri është një trajner i jashtëzakonshëm. Na shtyn që të punojmë shumë, por në të njëjtën kohë, në një mënyrë ndryshe nga çfarë isha mësuar deri përpara se të vija në Torino. Gjithsesi, tani e kam kapur ritmin e metodës dhe mënyrës së punës që Alegri kërkon dhe mendoj se jam në një nivel të mirë. Jam përmirësuar dhe besoj e kam treguar edhe në fushë.

Liga e Europës është i vetmi trofe që ju mungon. E shihni veten te Juvja edhe sezonin e ardhshëm?

Është e vërtetë dhe në këtë trofe kam luajtur vetëm një herë me Benfikën. Është një trofe që më mungon dhe jam i përqendruar totalisht që ta bëj timin, por edhe të Juventusit. Shumë më thonë që “çfarë të duhet Liga e Europës, ku je kampion bote”, por për mua kjo Ligë Europe është njësoj si Botërori. Dhe po, për sa i përket së ardhmes, mendoj se mund të jem sërish këtu. Po flasim me drejtuesit për rinovimin e kontratës, por në fillim të kalojmë Seviljen, pastaj shohim.

Pra, prioriteti juaj është qëndrimi te Juventusi?

Këtu gjendem shumë mirë. Rrallëherë isha ndier si në një familje dhe për këtë arsye, siç e thashë, do të flasim në fund të sezonit.

Jeni i kënaqur nga sezoni juaj?

Në fillim e pata të vështirë, pasi isha mësuar që të luaja në skuadra që u pëlqen të zotërojnë bindshëm topin, sidomos te PSG-ja. Prandaj, m’u desh pak kohë që të mund të kuptoja çfarë kërkohej në Itali.

Kur shihni Milanin e Interin në gjysmëfinalet e Champions-it, ndieni ndonjë peng?

Jo, gjysmëfinalet e Champions-it janë një çështje e Interit e Milanit dhe nuk më intereson. Madje, unë di të them edhe se jemi apo nuk jemi në Champions sezonin e ardhshëm, kjo gjë nuk do të ndikojë në zgjedhjen time për të qëndruar te Juventusi.

Thuhet se Juvja nuk është grup i lumtur? E vërtetë?

Të kishit ardhur të shihnit stërvitjen e sotme, do të shihnit se çfarë grupi jemi. Këtu kam gjetur ndoshta ambientin më të jashtëzakonshëm, për sa i përket marrëdhënies brenda grupit. Nuk njihja asnjë kur erdha, por në pak ditë më dukej sikur i kisha njohur prej një jete dhe kjo është ajo që më ka mahnitur te Juventusi.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"