Varfëria në merkato nuk e shqetëson Apoloninë, Rodriges: Katër afrime mjaftojnë, nuk ishim perfektë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2023 | 17:38

Varfëria në merkato nuk e shqetëson Apoloninë, Rodriges: Katër afrime mjaftojnë, nuk ishim perfektë

Apolonia i dha leksion çdo kundërshtari. Me një merkato totalisht “të varfër” dhe me mori të rinjsh në fushë, fituan. Dhe çfarë fitoreje, mundën 0-3 Lushnjën në transfertë. Arkitekti i këtij starti ishte padyshim Jeraj Rodriges.

rodriges

I ardhur rishtas në Fier dhe me shumë pak informacion për ekipin e tij dhe mbi kampionatin shqiptar, diti të bënte çudinë. E megjithatë, spanjolli është i përulur. Nuk merr asnjë meritë dhe mbi të gjitha nuk e quan perfekte paraqitjen e të tijve. Duke ia pasur frikën vetëkënaqësisë, vendos në dukje edhe disa gabime. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 41-vjeçari analizon me detaje javën e parë të Kategorisë së Parë, grupin që drejton dhe mbi të gjithë objektivat. Apolonia e nisi mbarë sezonin 2023-2024.

Sa e rëndësishme është kjo fitore për Jeraj Rodrigesin?
Morëm një trepikësh të artë. Është padyshim i rëndësishëm dhe tej mase motivues për vazhdimësinë. Nuk është aspak e lehtë të bindësh që në ndeshjen e parë, për më tepër në një derbi. Po ne ia dolëm, duke dhënë dhe marrë maksimumin. Gjithsesi, arritëm të fitojmë vetëm një betejë. Sigurisht që u gëzohemi pikëve të plota, por na presin edhe shumë beteja të tjera, po kaq të vështira.

E prisnit një fitore kaq të pastër dhe me 3 gola?
Sigurisht që po. Jam i kënaqur për fitoren e arritur ndaj Lushnjës, por duhet të përmirësojmë akoma shumë gjëra.

Çfarë duhet të korrigjojë Apolonia?
Vërtetë morëm tri pikë, por loja jonë duhet të vijë gjithmonë e duke u përmirësuar. Më saktë duhet të jemi akoma më kërkues ndaj vetes dhe të vazhdojmë të përmirësojmë çdo detaj. Të analizojmë me kujdes gabimet që kemi pasur në lojë dhe rregullojmë për ndeshjen e radhës në kampionat.

Po një pikë të fortë e ka skuadra juaj?
Pika e fortë e Apolonisë është uniteti, harmonia dhe konsolidimi i plotë i grupit të lojtarëve. Gjithashtu, përpjekja që kanë. Në çdo seancë shfaqin ambicie të madhe individuale dhe kolektive. Fryma e grupit dhe loja e përbashkët, janë shumë të rëndësishme, ndaj Apolonia ka një grup lojtarësh me plot dëshirë e pasion për të bërë mirë që në fund të arrihet qëllimi ynë i përbashkët.

I druheni euforisë së momentit duke qenë se starti ishte perfekt?
E para dhe më e rëndësishmja që dua të theksoj është se starti ynë nuk ishte perfekt. E dyta, nuk ka aspak vend për eufori, sepse ne thjesht morëm një fitore, pra nuk bëmë asgjë të jashtëzakonshme. E treta, nuk kemi arritur asgjë, ndaj duhet të jemi të përulur në çdo seancë stërvitore të radhës në mënyrë që të rritemi edhe më shumë individualisht dhe kolektivisht. E mbyllët merkaton e verës me vetëm katër afrime.

I kënaqur në përgjithësi me lojtarët që keni në dispozicion?
Patjetër që jam i kënaqur. Kam një ekip relativisht të ri në moshë, por vë re te këta djem dëshirën dhe etjen e madhe për të bërë mirë. Vlerësoj shumë çdo lojtar që kam në dispozicion dhe u jam jashtëzakonisht mirënjohës e falënderues për përkushtimin e tyre në çdo seancë stërvitore. Ndeshja e dytë është sërish në transfertë.

Kur do t’i filloni përgatitjet intensive anti-Korab?
Mëngjesin e sotëm hyjmë zyrtarisht në përgatitjet intensive anti-Korab. Pushuam mjaftueshëm duke rimarrë gjithë energjitë e humbura, ndaj jemi gati për të zbritur sërish në fushë. Gjithmonë do të kemi një mentalitet fitues dhe gjithashtu ambicie të shtuar për të qenë mendërisht shumë të fortë në të gjitha aspektet. Kjo ligë është shumë e fortë dhe e vështirë, kështu që çdo ndeshje kërkon impenjim sa më maksimal. Puna jonë e përditshme është e panegociueshme, plus ne duhet të japim edhe shpirtin në fushën e lojës.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"