Van Gal karikon Holandën para sfidës ndaj Katarit: Nuk duam 1/8-at, por… Botërorin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2022 | 9:42

Van Gal karikon Holandën para sfidës ndaj Katarit: Nuk duam 1/8-at, por… Botërorin!

Luis van Gal thotë se Holanda e tij duhet të besojë se mund ta fitojë Botërorin dhe jo të ketë objektiv thjesht kualifikimin në fazat me eliminim direkt të turneut. “Tulipanët”, të cilët janë të pamposhtur në 17 ndeshje, mundën Senegalin 2-0 në takimin e parë të Grupit A dhe pastaj barazuan 1-1 me Ekuadorin në të dytën.

VAN GAL 1

Atyre u duhet vetëm 1 pikë sot kundër Katarit për t’u kualifikuar në 1/ 8-at. “Mendoj se ti duhet gjithnjë që të identifikosh objektivin, qëllimin për të cilin ke ardhur këtu”, tha trajneri më i vjetër i këtij Botërori në konferencën për shtyp.

“Më pas mund të punosh drejt këtij objektivi. Nëse nuk identifikon qëllimin dhe thua ‘kënaqemi me 1/8-at apo çerekfinalet’, kjo nuk është mënyra më e mirë për t’i bërë gjërat”.

Holanda renditet e para në Grupin A, me pikë të barabarta me Ekuadorin dhe të dyja skuadrat kanë të njëjtën diferencë golash. Holanda kualifikohet edhe nëse humbet me Katarin, por nëse amerikanojugorët mundin Senegalin.

Van Gal, i cili është për herë të tretë i ulur në stolin e kombëtares portokalli dhe në “Brazil 2014” u rendit i treti, tha se skuadra ndan të njëjtin vizion me të për objektivin se sa larg mund të shkojnë.

“Unë nuk kam thënë kurrë se ne do të shpallemi kampionë bote, unë kam thënë se ne mund të shpallemi në fund, që kemi një shans dhe që lojtarët janë të ndërgjegjshëm dhe bindur për këtë”.

Në konferencë, 71- vjeçarit i kërkuan nëse do të ndryshonte skemë sot kundër organizatorëve të Katarit pas kritikave se nuk po prodhon mjaftueshëm lojë sulmuese, por ai nuk sheh arsye për të hequr dorë nga sistemi 5-3-2:

“Unë kam menduar për modulin prej një viti e gjysmë dhe mund ta ndryshoj.

Por nuk e kam parë të nevojshme për ta bërë. Katari luan gjithashtu me 5-3-2. Kështu që do të jetë më shumë si një ndeshje shahu.

E di që nuk është gjithnjë argëtuese për ta parë, por është një mënyrë për të shkuar përpara”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"