Valbona mposht Veleçikun, Smajli akuzon gjyqtarin: Turpi i arbitrimit, i kërkova llogari dhe ai…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2023 | 12:39

Valbona mposht Veleçikun, Smajli akuzon gjyqtarin: Turpi i arbitrimit, i kërkova llogari dhe ai…

Valbona ka triumfuar 2-1 ndaj Veleçikut në ndeshjen e ‘play off’- it të Kategorisë së Dytë, të vlefshme për Grupin A dje në stadiumin e Vorës. Takimi ka nisur me tension teksa që në minutën e 20-të gjyqtari Ziri ka larguar me karton të kuq trajnerin e Veleçikut, Dritan Smajli.

kategoria-e-dyte

Një lojë e luftuar, e cila është zhbllokuar në minutën e 43-të nga skuadra e Valbonës. Ka qenë Vilson Mziu, ai, i cili ka gjetur rrugën e rrjetës, duke e çuar skuadrën e tij në avantazh në dhomat e zhveshjes.

Veleçiku provon me të gjitha forcat, por me nisjen e pjesës së dytë do të ishte Valbona ajo që do të dyfishonte shifrat, duke i shkuar edhe më pranë fitores. Përkatësisht në minutën e 56-të, Gjonaj do të shënonte në portën e Kaçajt pas asistit të Çutrës.

Tashmë ekipi i Emiljano Gegës është më i qetë, ndërkohë Veleçiku që ka mbetur pa trajner, nuk po del në lojën e vet. Ngushtimi i shifrave do të vinte vetëm në të 81-ën, aty ku Elbasani tund rrjetën e Brahos pas shërbimit që mori nga Hajdari.

Rezultati deri në fund mbetet i pandryshuar dhe Valbona kalon në turin tjetër, ku do të luajë me Lushnjën në fushë asnjanëse, mesjavën e ardhshme.

SMAJLI – Dritan Smajli, trajneri i Veleçikut, u largua me karton të kuq që në pjesën e parë. Në përfundim të takimit për “Panorama Sport” ai shpërthen në akuza ndaj gjyqtarit të takimit, Blerim Ziri.

smajli

“Normalisht që largimi im ndikoi, kur je pa trajner, skuadrës i bie morali. Ajo që mua më dhemb shumë, mënyra se si shkoi. Unë lojtarin e kam në tokë dhe gjyqtari vazhdon lojën, i kërkoj llogari dhe ai më jep karton të verdhë dhe pa e ofenduar fare me jep të verdhin e dytë. Megjithatë, unë do të them se Blerim Ziri është turpi i arbitrimit në Shqipëri. Ka luajtur me ndjenjat e Malësisë së Madhe. Unë nuk folur kurrë me këtë gjuhë, por ai është për turp. I uroj suksese Valbonës në rrugëtimin për në Kategorinë e Parë”, përfundoi trajneri i Veleçikut, Smajli.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"