U “zhdukën” grupet, trajneri Bano: Lushnjës i duhen kampionë! Tetë skuadra pretendente, Shkumbini mund të jetë befasia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2021 | 0:08

U “zhdukën” grupet, trajneri Bano: Lushnjës i duhen kampionë! Tetë skuadra pretendente, Shkumbini mund të jetë befasia

Artan Bano “skanon” Kategorinë e Parë. Ish-trajneri i Lushnjës, Tomorit, Egnatias dhe Shkumbinit analizon verdiktet sezonale në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”. Nuk kishte si të mos ndalej te kthimi i kampionatit me 16 skuadra, të cilin e parashikon shumë herë më të fortë.

artan bano

Ai parashikon edhe se do të ketë një miksim muskujsh dhe cilësie me “zhdukjen” e grupeve. Një koment e ka edhe për ekipin e vendlindjes, që sipas tij, mori aq sa i takonte. Ai mendon që për të pasur pretendime madhore, verdhejeshilëve u duhet një merkato e fuqishme me… kampionë.

Pas 7 edicionesh “zhduken” grupet në Kategorinë e Parë. A do të jetë më mirë kështu?

Patjetër. Duhet të ishte me kohë kjo skemë. Jam i mendimit që Kategoria e Parë është më efektive me një grup të vetëm. Për sezonin e ardhshëm do të kemi garë shumë herë më të fortë mes 16 skuadrave.

Çfarë duhet të kenë parasysh klubet në një garë me 16 ekipe?

Do kemi një miksim interesant. Në Grupin e Veriut karakteristika kryesore ishte loja e fortë dhe kontakti. Duhet të kesh “muskuj” të fitosh duelet me ta. Në Grupin e Jugut kishte futbollistë cilësorë.

Ranë Apolonia me Bylisin dhe u ngjit Shkumbini, tri ekipe që kanë një lloj tradite në këtë garë?

Kjo do të thotë që 50% e skuadrave do të jenë pretendente. Për mendimin tim do të kemi 8 skuadra që do ta nisin me synime, konkretisht: Korabi, Burreli, Besëlidhja, Bylisi, Apolonia, Besa, Lushnja dhe Shkumbini.

Mendoni se Shkumbini do të ngjitet në elitë?

Futbolli i njeh kapërcimet e dyfishta. Flasim për një skuadër që ka luajtur 19 vite rresht në elitë. Kur e ke realizuar diçka, do t’i rikthehesh prapë.

Kalojmë pak te verdiktet e fundsezonit, Egnatia kampione dhe Tomori që mbetet në inferiore… 

Sinqerisht, Tomori nuk mund të bënte më shumë se kaq përballë Kastriotit. Që të fitosh ndeshje të tilla, duhet të kesh një kontigjent të plotë cilësor. Egnatia pastaj? Që të dalësh kampion, duhet të kesh futbollistë kampionë. Në këndvështrimin tim rrogozhinasit e kishin këtë dhe konkluzioni dihet. U ngjitën dhe morën dy trofetë e mundshëm.

Lushnja e mbylli sezonin në vendin e pestë, u befasuat?

Lushnja bëri një merkato të niveleve mesatare. U larguan “paketë” 12 futbollistë dhe u zëvendësuan në një kohë të shkurtër me ata aq sa mundeshin. Që të bëhen afrime cilësore, duhet më shumë kujdes dhe mbi të gjitha kohë, gjë që nuk e patën.

Një fakt bëri shumë përshtypje te Lushnja: asnjë futbollist nuk shënoi më shumë se tre gola, qoftë edhe sulmues… Si e përktheni?

Kjo që sapo thashë vlen për të tria repartet.  Në skuadër duhet të kesh një sulmues shumë cilësor që shkon në kuotën e 8-10 golave. Që të kesh produktivitet, duhen elementë të niveleve të larta, që dinë të dalin me thjeshtësi në sulm.

Çfarë i sugjeroni Lushnjës për këtë vit?

Lushnjës i duhet merkato e fuqishme dhe shumë cilësore, por e mirëmenduar dhe e kujdesshme. E përsëris: që të dalësh kampion, duhen futbollistë kampionë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"