U largua për shkak të mashtrimeve financiare te Juventusi, Pavel Nedved mund të kthehet si…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2023 | 17:47

U largua për shkak të mashtrimeve financiare te Juventusi, Pavel Nedved mund të kthehet si…

Pavel Nedved ishte deri në fundin e vitit 2022 një nga drejtuesit më të lartë të Juventusit dhe figurë përfaqësuese e klubit bardhezi. Por ai u detyrua të jepte dorëheqjen në tetorin e kaluar, ashtu si i gjithë bordi drejtues, për shkak të skandalit që shpërtheu në Itali e që solli dënimin e bardhezinjve, si pasojë e mashtrimeve me bilancet financiare, nëpërmjet plusvalencave dhe lëvizjeve me rrogat në të zezë.

NEDVED

Që asokohe, emri i tij është përmendur vetëm kur kishte seanca apelimi për çështjet në fjalë e asgjë më shumë. Por tani, duket se do të dalë përsëri në pah për çështje që kanë lidhje direkte me sportin.

Mediat çeke bëjnë të ditur se ish-mesfushori tashmë mund të kthehet në vendlindje për të marrë një detyrë të rëndësishme në Federatën e Futbollit të këtij vendi. Atij pritet t’i besohet roli i drejtorit sportiv në Federatë, apo një rol të ngjashëm me shumë autonomi në vendimmarrje për projektet sportive të ekipeve kombëtare.

Çekia është në kërkim edhe të një trajneri, pasi Jaroslav Shilhavi dha dorëheqjen menjëherë pasi kualifikoi këtë përfaqësuese në vendin e dytë në grupin e Shqipërisë. Mendohet se Nedved ka dhënë miratimin që trajneri i ri të jetë Ivan Hashek, i cili në vitet e fundit ka drejtuar përfaqësuesen e Libanit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"