U huazua nga Skënderbeu te Maliqi, rrëfimi special i ganezit Abei: Shokët më thërrasin Maqo! Ju tregoj lojtarët që më inspirojnë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2021 | 14:43

U huazua nga Skënderbeu te Maliqi, rrëfimi special i ganezit Abei: Shokët më thërrasin Maqo! Ju tregoj lojtarët që më inspirojnë…

I huazuar në fillim të sezonit nga Skënderbeu te Maliqi, mbrojtësi ganez, Abei Agbodzie, u bë futbollisti i parë afrikan që vesh fanellën e maliqarëve në gjithë historinë e klubit juglindor.

Abei

21-vjeçari ka qenë një nga më futbollistët më të spikatur në repartin difensiv, duke bërë diferencën me cilësitë e tij. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Abei foli për këtë eksperiencë speciale në klubin e Kategorisë së Parë në prag të sfidës ndaj Butrintit që do të zhvillohet ditën e sotme në qytetin e Bilishtit. Ndër të tjera mbrojtësi ganez tregon edhe futbollistët që e inspirtojnë si dhe flet për raportin me femrat shqiptare.

Në fillim të sezonit u huazuat nga skuadra e Skënderbeut te Maliqi, si e pritët këtë vendim dhe si po ndiheni te skuadra maliqare?

Maliqi është një klub mjaft i organizuar. Të them të drejtën, në fillim kur u propozua marrëveshja e huazimit, nuk u ndjeva shumë mirë, sepse doja të qëndroja te Skenderbeu dhe të lija gjurmë me korçarët këtë sezon pasi nuk luajta shumë ndeshje sezonin e kaluar me Skënderbeun.

Por pas disa ditësh, duke menduar për të gjithë situatën dhe duke folur me agjentin dhe familjen time, më në fund e binda veten se të luaja për Maliqin deri në janar ishte një hap i mirë për karrierën time. Ishte një mundësi e mirë për të qënë më aktiv dhe do të kem mundësinë të luaj më shumë ndeshje dhe të mbaj veten në formë të mirë për t’u përgatitur për një të ardhme sa më të ndritur në karrierën time.

Unë e kuptoj se për disa njerëz mund të duket si një hap mbrapa të kalosh në huazim nga një klub i Kategorisë Superiore në një klub të Kategorisë së Parë, por për mua është një hap përpara dhe të them të drejtën më vjen mirë që iu bashkuova Maliqit në formë huazimi. Maliqi është një klub me ambicie.

Vetëm 5 pikë në 7 ndeshjet e para, si është atmosfera te skuadra e Maliqit. Mendoni se përballja ndaj Butrintit është vendimtare për ecurinë e klubit?

I gjithë stafi teknik dhe ne lojtarët jemi vërtet të shqetësuar për rezultatet zhgënjyese në ndeshjet e fundit. Po mund të themi se ne të gjithë po punojmë pa u lodhur në stërvitje kështu që mund të fillojmë të marrim rezultate pozitive duke filluar nga sfida me Butrintin.

Cili është lojtari i preferuar te Skënderbeu dhe Maliqi?

Është shumë e vështirë të zgjedhësh një lojtar të preferuar te Skenderbeu apo Maliqi. Sepse çdo lojtar është unik dhe ne të gjithë kemi cilësi të ndryshme dhe me këto cilësi plotësojmë njëri-tjetrin në fushë. Mendoj se kimia dhe telepatia e ekipit janë shumë më të rëndësishme për ecurinë e një ekipi sesa vetëm një lojtar.

Përtej diplomacive, nuk ka ndonjë emër që mund ta veçoni?

Uou kjo është e vështirë. Por nëse vërtet më duhet të jap një emër atëherë do të thoja që Denis Duvuna është lojtari im i preferuar te Skenderbeu dhe lojtari im i preferuar te Maliqi është Rudens Muçollari.

Dëshironi që eksperienca juaj me Maliqin të vazhdojë edhe pas janarit, apo shpresoni që të riktheheni sa më shpejt te Skënderbeu?

Është një ndjenjë e përzier, do të doja ta përfundoja atë që kam filluar me Maliqin në një notë shumë të lartë dhe të mirë, dëshiroj të lë gjurmë edhe në Skenderbeu. Kam një kontratë huazimi deri më 14 janar dhe çfarëdo vendimi të marrin drejtuesit pas përfundimit të kësaj periudhe huazimi, do të jem i detyruar ta zbatoj.

Abei

Keni një futbollist që iu inspiron në arenën Europiane?

Erik Beili i Mançester Junajtid dhe Serxhio Ramos. Këta dy lojtarë më frymëzojnë shumë dhe e shoh veten në ta sa herë që i shikoj duke luajtur.

Mensah apo Bismark, cili ka qenë më i vështirë për t’u markuar?

Kam luajtur kundër Mensah shumë herë në stërvitje, ndërsa kundër Bismarkut kam luajtur vetëm disa herë. Mensah është i gjatë, i forte, i shpejtë dhe luftëtar. Bismark është më i zoti teknikisht dhe i pëlqen të luajë me topin. Nga përvoja ime personale do të them se Mensah është më e vështirë për t’u markuar.

A të kanë vendosur shokët e skuadrës ndonjë emër shqiptar në kuadër të shakasë?

Po më kanë vendosur një emër shqiptar. Të gjithë më thërrasin Maqo në stërvitje, përfshi edhe trajnerin.

Si i keni raportet me vajzat shqiptare?

Jam i martuar dhe nuk kam asnjë raport special me vajzat shqiptare. Ndonjëherë vajzat më përshëndesin në rrugë dhe kafene. Është këndshëm kur të përshëndesin, gjithçka që bëj është t’u kthej buzëqeshjen. Por jam shumë i rezervuar kur bëhet fjalë për vajzat sidomos në një vend ku jam i huaj.

Jeni futbollisti i parë afrikan në historinë e klubit të Maliqit, ju jep ndonjë ndjesi speciale ky fakt?

Uou, nuk e dija këtë fakt! Mund të them se ndihem shumë krenar që jam futbollisti i parë afrikan në historinë e Maliqit. Është një privilegj i madh dhe jam edhe më i vendosur ta bëj epokën time te Maliqi.

Abi2

A ka Abei një mesazh për shokët e skuadrës në prag të ndeshjes me Butrintin?

Do të doja t’i inkurajoja shokët e skuadrës në prag të ndeshjes me Butrintit dhe t’u bëja të ditur ne duhet të mbajmë kokën lartë, të ruajmë profesionalizmin tonë dhe të rrisim forcën  mendore që të shkojmë në këtë ndeshje të radhës me gjithë seriozitetin dhe besimin se do të dalim fitimtarë.

ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"