Turbina-Flamurtari, edhe testi i dytë miqësor ka të njëjtin përfundim si i pari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2022 | 9:04


Turbina-Flamurtari, edhe testi i dytë miqësor ka të njëjtin përfundim si i pari

Në stadiumin “Nexhip Trungu” të qytetit të Cërrikut, u luajt miqësorja e kthimit mes Turbinës dhe Flamurtarit. Ashtu si testi i parë i zhvilluar në Vlorë (2-2), edhe përballja e djeshme mes këtyre dy ekipeve ka përfunduar në barazim, por kësaj radhe në shifrat 1-1.

turbina flamurtari

Sfida është zhvilluar e fortë, me të dyja skuadrat që kishin vlerësuar maksimalisht përballjen, edhe pse bëhej fjalë për një ndeshje miqësore. Të dy trajnerët kanë hedhur në fushë në fillim formacionet më të mira, ndërsa në pjesën e dytë kanë bërë shumë zëvendësime. Cërrikasit kanë qenë pranë golit në disa momente në pjesën e parë me Dëzhgiun dhe Gjonajn, por portieri Moçka ka qenë në lartësinë e duhur dhe nuk i ka lejuar të tundin rrjetën e vlonjatëve.

Flamurtari ka reaguar në vijim me Ribajn dhe Oliverën që kanë rrezikuar në portën e cërrikasve. Goli për kuqezinjtë do të vijë në minutën e 26-të, ku Liçaj tregohet i saktë në zonën vendëse dhe shënon. Turbina nuk është pajtuar me këtë rezultat dhe gjen golin e barazimit në minutën e 31-të me Hyskën, i cili përfiton nga një gabim i mbrojtësve miq dhe dërgon topin në rrjetën e tyre. Loja ka vijuar me ritëm të lartë dhe pranë golit ka qenë Sota dhe Murraj, që me pak kujdes mund të shënonin. Ndërsa për Flamurtarin Pjeshka dhe Zambi janë treguar të rrezikshëm. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 1-1.

Në pjesën e dytë, përpos zëvendësimeve të shumta që u kryen, ritmi nuk ka rënë dhe të dyja ekipet kanë kërkuar fitoren. Juri për vlonjatët ka qenë pranë golit, duke treguar elegancë në fushën e blertë. Për cërrikasit i papërmbajtshëm dhe i shpejtë ka qenë nigeriani Frenkli. Në minutat e fundit të miqësores, Hyska mundë t’i jepte fitoren Turbinës, por ka shpëtuar për mrekulli portën e tij “gardiani” mik. Tifozët cërrikas nuk kanë munguar në këtë takim dhe kanë duartrokitur lojën e ekipit të zemrës, që me merkaton e zhvilluar dhe punën që po bëhet japin shpresa për një Turbinë konkurruese në sezonin e ri.

TURBINA-FLAMURTARI 1-1
GOLAT: Hyska 31’ / Liçaj 26’
TURBINA: Brand, Ngjela, Zaimi, Buxhelaj, Musaj, Gjonaj, Gonzales, Hyska, Murraj, Sota, Dezhgiu; (U aktivizuan: Shehi, Frenkli, Malaj, Kamara, Brahja, Xhelili).
Trajner: Adriatik Faslliu
FLAMURTARI: Moçka, Neziri, Bicaj, Shkalla, Silue, Ramadani, Pjeshka, Olivera, Zambi, Ribaj, Liçaj. (U aktivizuan: Gocaj, Qarri, Emanuel, Juri, Balla, Kalus).
Trajner: Dritan Resuli
GJYQTARË: E. Bylykbashi, R. Muzhaqi, R. Jahja(Elbasan)

MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL