Triumfi historik në Europianin Ekipor, Luiza Gega: Kurorëzim i një pune shumëvjeçare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2023 | 15:21

Triumfi historik në Europianin Ekipor, Luiza Gega: Kurorëzim i një pune shumëvjeçare

Në sport dihet që të rikonfirmohesh si kampion është gjithmonë më e vështirë se të fitosh. Për vite me radha Luiza Gega ia ka dalë jo vetëm që të rikonfirmohet, por të tejkalojë veten e saj në paraqitje dhe rezultate. fsdfd

Pas arritjeve historike në Kampionatin Botëror, në atë Europian, Luiza ka mahnitur së fundmi edhe në Europianin Ekipor, duke fituar të dyja garat ku mori pjesë, si në 5000 metra gjithashtu edhe në 3000 metra me pengesa. Ndonëse është kampione në fuqi dhe me rekord në Europë, Luiza konkurroi në Divizionin e tretë, për shkak se aty bën pjesë Shqipëria.

Megjithatë, edhe pse nuk kishte rivale që të nxirrte maksimumin e saj, kampionia kuqezi shënoi rezultate mbresëlënëse. Me kohën 9:17.31 në 3000 m/p, Luiza vendosi rekord të ri në Europianin Ekipor, ndërsa tashmë triumfet në këtë event për të janë 11, duke barazuar rekordin e bullgares Ivet Lalova-Collio. Statistika këto që janë treguesi më i qartë i kalibrit të Luiza Gegës, e cila ka një vend mes legjendave të atletikës europiane.

E kontaktuar nga “Panorama Sport”, Gega ka rrëfyer emocionet e suksesit në garat e zhvilluara në Poloni. 34-vjeçarja shfaqet shumë e lumtur për rekordin, teksa thekson se ai ishte edhe objektivi që kishte fiksuar për këtë event.

Luiza, tjetër garë dhe tjetër rezultat i madh. Si do ta komentoni triumfin në garën e 3000 metrave me pengesa?

Nuk di nga t’ia nis vërtetë. Nuk ka lidhje vetëm me triumfin e sotëm (djeshëm), kjo fitore ka lidhje me gjithë karrierën time që tani e kuptoj sa e gjatë ka qenë dhe me sa emocione ka qenë i gjithë ky rrugëtim. Unë nuk para jam natyrë që vlerësoj shumë atë që bëj, shpeshherë më duket si detyrim ndaj njerëzve që më mbështesin apo qoftë edhe vendit tim, e gjithmonë jam përpjekur të bëj më të mirën që kam mundësi. Por sot vërtetë ndjeva një vlerësim të madh për gjithë këto vite mundi që bënë të isha një nga sportistet më të komentuara për rezultatet ndër vite që kam arritur.

Ndërkohë vendosët edhe rekord kompeticioni. E prisnit?

Në fakt qëllimi i garës ky ishte, që të përpiqesha të vrapoja shpejt. Jam e kënaqur me kohen që vendosa, edhe pse sigurisht do të doja të bëja, pse jo, një kohë më të mirë, por konkurrenca jo e fortë dhe gara në mëngjes ndikojnë shumë. Por sigurisht arrita objektivin kryesor duke thyer rekordin e kampionatit, rekordin e “Europian Athletics Team Championship”.

Tashmë janë 11 fitoret europiane, shifër rekord. Si ndiheni për këtë arritje historike që ua konsolidon edhe më tepër pozitave mes legjendave të këtij sporti?

E dija që kisha shumë fitore, por nuk e dija që po të arrija të merrja dhe dy të tjera do të bëhesha sportistja me më shumë fitore në historinë e këtij kampionati. Këtë e mora vesh vetëm javët e fundit, pasi federata europiane e komentoi shumë këtë fakt. Sigurisht që jam e lumtur, sepse tashmë kam vendosur emrin në këtë kampionat, si për rekord kampionati ashtu dhe për numër medaljesh të fituara. Ajo që më kënaq është edhe pjesa që prej shumë vitesh jam në “top” elitë si sportiste, pasi është pak e vështirë për një sportist të jetë në nivele të larta për një kohë të gjatë. Gjithashtu jam e lumtur që nuk ngeli vetëm viti 2022 si vit i suksesshëm, por dhe 2023-shi vazhdon të jetë i tillë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"