“Trimërohet” Flamurtari, Pollozhani i telefonon kapitenit Pjeshka për rinovimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2024 | 12:31

“Trimërohet” Flamurtari, Pollozhani i telefonon kapitenit Pjeshka për rinovimin

Flamurtari e nis me një kosovar merkaton e verës. Trimror Selimi është afrimi i parë, i cili mësohet se ka firmosur kontratë 1+1 dhe pritet të përfitojë rreth 2 mijë euro në muaj. Roli i tij është sulmues i krahut të majtë dhe ka lindur në Podujevë, më 6 shtator 2000.

flamurtari

Selimi e ka nisur karrierën si futbollist me të rinjtë e Prishtinës dhe më pas edhe me skuadrën e parë të kryeqytetit të Kosovës përgjatë sezonit 2019-2020. Ndërsa në sezonin 2020-2022 u transferua tek Ulpiana. Në dy sezonet e fundit 23-vjeçari ka qenë pjesë e Llapit. Trimror Selimi, të gjithë karrierën e tij e ka të përqendruar në Kosovë. Me Flamurtarin është aventura e parë e tij jashtë vendlindjes. Tashmë do të japë kontributin në Vlorë, ku do të luajë me Flamurtarin në Kategorinë e Parë.

MERKATO – Merkato e Flamurtarit duket se do të përqendrohet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Gjithçka në dorë e ka marrë Artin Pollozhani, i cili ende nuk është prezantuar si drejtori i ri i klubit, por ka gjithçka në dorë. Madje, Selimi është përzgjedhja e tij e parë. Pritet që në ditët në vijim të mbërrijnë në Vlorë edhe lojtarë të tjerë. Duke qenë se në sezonin e fundit dolën nga objektivi, pritet që të ketë një “dorë të hekurt” sa u përket hyrjeve dhe daljeve në merkato.

Në plane janë 10 futbollistë për Flamurtarin e sezonit të ri, por drejtuesit e klubit janë shumë hermetikë në drejtim të zbulimit të emrave. Paralelisht po punohet edhe me lojtarët që mbyllën sezonin e fundit. Edhe pse nuk u arrit objektivi për ngjitjen e Flamurtarit në Superiore, një pjesë e grupit do të qëndrojë. “Panorama Sport” zbulon se së fundmi, Artim Pollozhani ka telefonuar kapitenin Denis Pjeshka.

Nuk ka shumë detaje rreth diskutimit me tyre, por gjasat janë që Pollozhani t’i ketë kërkuar Pjeshkës rinovimin, pasi është në planet e klubit. Nuk dihet nëse Denisi do të qëndrojë i vetëm apo me vëllain e tij Paolon, me të cilin luajtën bashkë sezonin e shkuar në Vlorë. Lojtarë të tjerë, të cilët janë në planet e klubit për të rinovuar, janë Vasil Shkurtaj, Indio Oliveira, Idriz Batha dhe Erlis Frashëri. Duket se çështja mbetet vetëm te termat financiarë mes palëve.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"