Tre mungesa, edhe Kaçorri në dyshim. Dinamo, në pikëpyetje për qendrën e mesfushës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2023 | 10:52

Tre mungesa, edhe Kaçorri në dyshim. Dinamo, në pikëpyetje për qendrën e mesfushës

Dinamo është mësuar me mungesat në çdo ndeshje, pasi e kanë shoqëruar që nga java e parë e kampionatit. Përveç dëmtimeve, ka pasur edhe pezullime. Për këtë arsye do të mungojë ndaj Skënderbeut mesfushori Bakari Gudiabi, që mori të kuq në derbin me Tiranën. Një tjetër mungesë është ajo e Patrik Bardhit, ndërsa mesfushori Fatjon Andoni nuk është ende 100% gati.

DINAMO

Së fundmi është shtuar edhe sulmuesi Luis Kaçorri, gjendja e të cilit do të shihet deri në momentin e fundit. Ai luajti në pjesën e dytë të derbit dhe bëri një paraqitje të mirë. Shpresat janë që Kaçorri t’ia dalë për të qenë të paktën në stol për ndeshjen e sotme. Nëse nuk ia del, do të ishte një mungesë “e rëndë”.

Trajneri bëri disa lëvizje në formacionin e Dinamos, në krahasim me paraardhësin e tij. Ai aktivizoi Salin në portë në vend të Rexhepit. Në mbrojtje aktivizoi Lorranin në të majtë, një pozicion natyral për këtë lojtar, por që nga italiani ishte përdorur si mesfushor. Nga tre qendërmbrojtësit trajneri zgjodhi dyshen Hoxha-Behiratçe, duke lënë në stol Mesën, ndërsa surpriza ishte aktivizimi i Karambës nga minuta e parë.

Po ashtu, titullar u rikthye Lorenco Vila. Me shumë mundësi, mbrojtja dhe sulmi nuk do të ndryshojnë as sot ndaj Skënderbeut. Pikëpyetja e madhe e stafit blu lidhet me qendrën e mesfushës, ku mungon Gudiabi i skualifikuar dhe Andoni nuk është akoma gati. Përveç Smaçit, alternativë për këtë pozicion është Krasniqi, por edhe lojtarët që përshtaten, si Mija dhe Lorran.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"