Transferta me Maliqin, flet trajneri i Besëlidhjes: E keqja kaloi, tani nuk ndalemi më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2021 | 9:51

Transferta me Maliqin, flet trajneri i Besëlidhjes: E keqja kaloi, tani nuk ndalemi më

Besëlidhja nuk e mendon blofin. Lezhjanët kanë nisur ngjitjen në renditje dhe po i largohen gjithnjë e më shumë zonës së rënies, ndaj sot presin fitoren e katërt radhazi për të konsoliduar pozitat. Edhe pse luajnë në transfertë me Maliqin, misioni nuk ndryshon.

bruka

Kundërshtari është i panjohur për ta, e megjithatë Alban Bruka beson te grupi. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës zgjidhjen e pret nga sulmi. “Javën e dhjetë do ta luajmë përballë Maliqit në Bilisht. Është një sfidë që e kemi vlerësuar maksimalisht. Duke qenë se ekipi nga ndeshja në ndeshje po performon një trend mjaft pozitiv, kam besim se edhe këtë transfertë do ta kalojmë me sukses.

Ekipi i është kthyer normalitetit dhe kemi avancuar ndjeshëm në renditje. Duhet që të kapim zonën e sigurisë deri në fund të pjesës së parë të sezonit. Kërkojmë që fundi i 2021-shit të na gjejë të qetë dhe më pas të mendojmë për të tjerë objektiva. Të gjithë futbollistët janë entuziastë për të ardhmen, ndaj jam i bindur se edhe ndaj Maliqit nuk do të harrojmë të bëjmë detyrën për të marrë pikët e plota. Më ngroh sulmi, që tashmë është zhbllokuar. Për disa javë rresht ky repart ka stonuar para portës kundërshtare, por jo më.

Formacionet e mundshme të Maliqi-Besëlidhja

Formacionet e mundshme të Maliqi-Besëlidhja

U nisëm që sot (dje) drejt Korçës për të evituar lodhjen e rrugëtimit në ditën e ndeshjes. Futbollistët të kenë kohën e mjaftueshme për pushim dhe për të qëndruar të grumbulluar. Kohët e vështira për Besëlidhjen tashmë kanë kaluar. Kemi kapur rrjedhën normale të kampionatit nga ku do të lëvizim me ritmin e tij”, përfundoi tekniku i Besëlidhjes.

 

PRENG GJIKOLA/ ILDI MEROLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"