Trajneri Shpend Kumbarçe: Korabit nuk i lejohet hapi fals, me Tomorin vlen vetëm fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2024 | 17:38

Trajneri Shpend Kumbarçe: Korabit nuk i lejohet hapi fals, me Tomorin vlen vetëm fitorja

Korabi i Peshkopisë mban vendin e gjashtë me 32 pikë pas fitores 2–1 ndaj Lushnjës, sukses i cili erdhi në startin e fazës së tretë të kampionatit. Ka qenë Kasalla, ai që ka gjetur golin në minutën e 95-të, duke i dhënë Korabit fitoren e dytë radhazi ndaj Lushnjës. Dibranët synojnë një tjetër trepikësh, këtë radhë përballë Tomorit, në ndeshjen që do të luhet në Peshkopi.

Shpend Kumbarçe, trajneri i Korabit

Dibranët kërkojnë të mos mbeten jashtë zonës “play off”. Sa i përket ndeshjes së nesërme ndaj Tomorit, trajneri Shpend Kumbarçe shprehet i bindur se Korabi do të marrë maksimumin. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, para kësaj ndeshje, trajneri i dibranëve u shpreh: “Ndeshja me Tomorin në fushën tonë është vlerësuar maksimalisht, pasi çdo rezultat tjetër përveç fitores do të ishte një disfatë për Korabin, si dhe do të na i vështirësonte punën.

E kemi vlerësuar këtë takim, në të cilën nuk do të mungojë asnjë nga titullarët. E kam thënë dhe më parë, Korabi nuk e ka luksin të bëjë hapa fals, aq më pak në fushën tonë. Çdo ndeshje që vjen në këtë fazë, pavarësisht kundërshtarit, është një finale më vete për ne. Tomori duhet vlerësuar maksimalisht, pasi vjen në Peshkopi për të luajtur gjithçka për gjithçka, ku do të kërkojë me çdo kusht që t’i shkëputet vendit të fundit. Nuk do të ketë ndryshime në formacionin e titullarëve dhe mendoj se fitorja ndaj Tomorit do të na japë qetësinë e nevojshme.

Kalendari më pas na ka mundësuar ndeshje shumë të vështira, me ekipe që janë sipër nesh në renditje. Fitorja jonë është detyrim për sportdashësit dibranë, por dhe për të qenë më të qetë në lidhje me objektivin. Duhet të kemi kujdes edhe nga ekipet poshtë nesh, si Lushnja, Burreli dhe Kastrioti”.

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"