Trajneri quan sfidë, harmonizimin e grupit. Pashja: Kemi ndryshuar 80% të formacionit, dua edhe 3 afrime te Besa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2024 | 16:27

Trajneri quan sfidë, harmonizimin e grupit. Pashja: Kemi ndryshuar 80% të formacionit, dua edhe 3 afrime te Besa

Besa është “transformuar”. Mund të jetë ndër të paktat ekipe në Kategorinë e Kategorinë e Parë, që ndryshon “fytyrë” në janar. Pas largimeve të shumta në dhjetor, reparti i mesfushës dhe i sulmit është ribërë i tëri. Në këto kushte, ekipi vendoset përpara një sfide të vështirë. Harmonizimi duhet të vijë një orë e më parë, pasi koha nuk pret. Kësaj i mëshon edhe Lorenc Pashja, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”:

Pashja

“Me largimet e Sulovarit, Deliut, Xhebrahimit dhe plot 7 lojtarëve të tjerë, hymë fuqishëm në merkato. Morëm futbollistë jo vetëm në repartin e mesfushës e sulmit, por edhe në prapavijë. Nga dhjetori mund t’u them se kemi ndryshuar thuajse 80% të formacionit. Në këto kushte sfida ime reale e momentit është evidentimi i veçorive e cilësive të secilit, në cilin post japin maksimumin, por mbi të gjitha harmonizimin e grupit. Ndaj Bylisit pësuam 3 gola, kur lojtarët kishin vetëm 2 seanca. Luajtëm edhe në Vorë dhe pati tjetër qasje.

Përtej fitores, pashë atë që kërkoja e nga shumica e lojtarëve të ardhur. Po punojmë me nga dy seance dua në ditë, jo vetëm në marrjen e përgatitjes fizike, por mbi të gjitha në njohjen dhe harmonizimin e lojës së secilit. Më kënaq dëshira, angazhimi, sakrifica që shoh në çdo stërvitje”.

KONKURRENCA –

Pashja vlerëson konkurrencën e shtuar dhe mbi të gjitha faktin që rolet i ka të dubluara tashmë. “Një element mjaft pozitiv është dhe dublimi i posteve çfarë ka rritur ndjeshëm konkurrencën. Tani kemi alternativa të mira edhe në stol. Vërtet shumica janë të rinj, por kanë të dhëna mjaft të mira dhe janë të gjithë futbollistë me të ardhme besoj. Do na duheshin sa më shumë miqësore që të jemi gati, por koha nuk premton më. Në fundjavë rinis gara dhe ne duhet të jemi gati për Burrelin”, u shpreh mes të tjerash, numri një i pankinës së Besës.

MERKATO –

Pavarësisht punës së përditshme dhe prurjeve të shumta të janarit, trajneri nuk është i “kënaqur”. Ai pret më së paku edhe 3 përforcime të tjera. “Për vetë pozicionin që kemi në tabelë, na duhet të rindërtojmë një grup që të synojë vetëm fitore dhe mos ketë ‘stres’ prej dëmtimeve apo dënimeve. Një stol i shëndosh, të jep qetësi. Përtej shumë afrimeve, i kam kërkuar presidentit të bëjë maksimumin për të afruar edhe 2 apo 3 futbollistë, ku unë gjykoj se kemi nevojë. Me kushtin që nuk dua më lojtarë me moshë të re, por futbollistë me përvojë e të gatshëm. Besoj se do të vijnë brenda kësaj jave dhe vetëm atëherë mund të them ‘kjo është Besa që projektuam me Bizhdilin në dhjetor’. Personalisht jam optimist për vazhdimësinë, duke parë të dhënat e grupit dhe mbi të gjitha ‘urinë’ e shumicës së lojtarëve për të sakrifikuar”, përfundoi tekniku peqinas i kavajasve.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"