“Trajneri më shau i pari”, mesfushori i klubit të Kategorisë së Parë konfirmon pas përjashtimit: E mbylla me futbollin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2022 | 20:23

“Trajneri më shau i pari”, mesfushori i klubit të Kategorisë së Parë konfirmon pas përjashtimit: E mbylla me futbollin

Hermes Shkulaku tregon të vërtetën e tij për incidentin që ndodhi në Peshkopi. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori sqaron se nuk ka ofenduar gjithkënd pas ndeshjes me Korabin, por është konfliktuar vetëm me djalin dhe trajnerin e Pogradecit.

shkulaku

Lojtari thotë se situata ka agravuar me Marin Abazajn dhe më pas ka qenë Ardjan Abazaj që e ka ofenduar i pari. “Nuk kam ofenduar gjithkënd, por jam konfliktuar vetëm me djalin e trajnerit dhe trajnerin Abazaj. Më vjen keq që situata shkoi kështu”, thotë fillimisht 28- vjeçari, teksa konfirmon se këtu e ka mbyllur me futbollin e luajtur. Pas disa kohësh do të largohet për të jetuar jashtë kufijve të Shqipërisë, ndaj ka marrë këtë vendim drastik.

REAGIMI – “Pikësëpari dua të përshëndes të gjithë tifozët e skuadrës së Pogradecit për mbështetjen që më kanë dhënë gjatë gjithë këtyre viteve. Dua të bëj një sqarim sa i përket incidentit që solli edhe përjashtimin tim. Është e vërtetë që pas përfundimit të ndeshjes me Korabin kam pasur një debat vetëm me një lojtar, me djalin e trajnerit, dhe me asnjë tjetër. Ky debat ka qenë vetëm në aspektin sportiv, që nisi që në fushën e lojës dhe vazhdoi edhe në dhomat e zhveshjes. Aty ka ndërhyrë trajneri, që në vend të shuante tensionin, ka qenë ai i pari që ka kaluar në ofendime personale. Dhe normalisht pas këtyre ofendimeve e humba qetësinë. Nuk mund të lejoj që askush të më ofendojë jashtë aspektit sportiv.

Absolutisht kjo nuk është një gjë e mirë dhe aspak e këndshme për ambientin sportiv pogradecar dhe më vjen keq që unë po e mbyll në këtë mënyrë me futbollin e luajtur. Kërkoj falje për pjesën time deri diku dhe jo për atë çfarë është shkruar për mua në gazetë. Gjithsesi, opinioni sportiv pogradecar dhe të gjithë e dinë se ku qëndron problemi tek ekipi i Pogradecit. Unë u uroj nga zemra çunave suksese, pasi kam kaluar vitet më të bukura aty dhe shpresoj që Pogradeci ta kalojë këtë situatë të vështirë. Ekipi nuk e meriton të jetë në këtë gjendje. Këto fjalë që thashë më lart, i them për gjithë këto vite që kam kontribuar për këtë ekip të mrekullueshëm dhe nuk dua të hidhen poshtë për një deklaratë të rreme të trajnerit në lidhje me incidentin që ndodhi.

Këtë mund ta vërtetojnë të gjithë ata lojtarë që kanë qenë në dhomat e zhveshjes. Dhe këtë gjë po e them për mbarë opinionin publik pasi nuk mund të hedhin baltë mbi emrin tim për një ngjarje që nuk është treguar ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë. Për momentin e kam mbyllur me futbollin e luajtur, por nuk e hedh poshtë idenë e rikthimit vetëm nëse largohet nga drejtimi i ekipit ky trajner”, përfundoi Shkulaku, që dy ditë më parë u përjashtua nga skuadra ku luajti për më shumë se 10 vite.

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"