Trajneri me ide të qarta, Bruka vendos kusht për afrimet te Besëlidhja: Qëndron kush… bind

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2022 | 11:41

Trajneri me ide të qarta, Bruka vendos kusht për afrimet te Besëlidhja: Qëndron kush… bind

Pushimet e Besëlidhjes po shkojnë drejt fundit. Të hënën e 18 korrikut skuadra do të grumbullohet për të nisur fazën përgatitore. I gjithë ekipi që mbylli sezonin do të paraqitet në fushë. Përjashtim bëjnë këtu vetëm tre futbollistëve serbë, të cilët tashmë janë larguar zyrtarisht nga radhët e lezhjanëve. Nuk përjashtohet mundësia që ditën e parë të grumbullimit të kemi edhe afrime nga merkatoja e kësaj vere, po ashtu edhe të vetofruar. Kujtojmë se në planet e klubit janë 6 afrime, duke nisur nga porta e përfunduar te maja e sulmit.

bruka

Lajmin për grumbullimin e Besëlidhjes e bëri të ditur për “Panorama Sport” vetë Alban Bruka, gjatë një prononcimi. Trajneri tregohet i rezervuar kur vjen puna te përforcimet, por qartazi duket se nuk kanë vendosur asgjë në vijë për këtë pjesë. Në Lezhë mungojnë afrimet, e megjithatë dukshëm janë të qetë dhe kjo vjen prej faktit se e kanë grupin gati.

“Pushimet tona do të mbyllen këtë fundjavë. Pas njoftimit të dhënë nga FSHF-ja, edhe ne morën masat tona. Kampionati nis me 3 shtator, ndaj 7 javë përgatitje mendoj se janë të mjaftueshme. Në kësi kushtesh, bashkë me presidentin, vendosëm që skuadra më 18 korrik të zbresë në fushë për të nisur një herë e mirë përgatitjet. Koha është e mjaftueshme që të bëhemi gati për garën, që këtë sezon do të jetë vërtet e vështirë. E kemi thënë këtë dhe duhet të mbledhim forcat. Kategoria e Parë e këtij viti do të përngjajë me atë elitën e para 20 viteve. E përmendur edhe një herë tjetër kjo dhe mendoj se do të jetë një kampionat për të mos u humbur. Do ta shijojmë. Kjo cilësi ama do të ketë shumë dështime. Kur dihet më shumë se gjysma e ekipeve do të nisin me objektiva të qarta për të tentuar rikthimin në Superiore, do të ketë luftë të ashpër sportive. E megjithatë, vetëm dy-tre do ta kenë luksin që ta presin një biletë për në elitë”, tha fillimisht tekniku.

MERKATO

Kur u ndal te merkatoja, Bruka sqaroi se gjithkush do të kalojë në “sitë” dhe vetëm ata që bindin do të qëndrojnë. “Ditën e parë të grumbullimit, do të jetë thuajse i gjithë ekipi që mbylli sezonin. Vetëm tre futbollistëve serbë që janë larguar zyrtarisht, nuk do të jenë. Sa i përket merkatos së kësaj vere, në plan kemi 6 afrime cilësore. Duhet përforcime nga porta e deri në majën e sulmit. Ndonëse vjet nisëm ndërtimin e një ekipi të ri nga e para, eksperienca nuk bën kurrë keq. Koha dhe rrethanat nuk janë asnjëherë të ngjashme, ndaj edhe ne do t’u përshtatemi situatave. Pjesë e Besëlidhjes do të bëhen vetëm ata futbollistë që me të vërtetë bindin. Kjo vlen jo vetëm për të afruarit, por edhe për ata që janë aktualisht. Për objektivat do të flasim më vonë”, përfundoi trajneri.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"