Trajneri i ri i skuadrës kavajase, Fidaim Haxhiu: Ferr apo parajsë? Besa e ka vetë në dorë fatin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2024 | 16:17

Trajneri i ri i skuadrës kavajase, Fidaim Haxhiu: Ferr apo parajsë? Besa e ka vetë në dorë fatin

Fidaim Haxhiu është trajneri që marrë frenat Besës deri në fund të sezonit. Ai e njeh ambientin, pasi ka qëndruar në krah të Lorenc Pashjes. Madje, të gjithë futbollistët nga Kosova që luajnë me Besën, duke nisur nga portierët Ahmeti, Bici e më pas Emini, Shurdhiqi, Reçica, Mehmeti, Zeqiraj janë afruar në ekip me miratimin e tij.

fidaim haxhiu, trajneri i Beses

Një pjesë të tyre ai i ka stërvitur vetë para se të vinin në Kavajë. Në prononcimin e tij të parë për “Panorama Sport”, Haxhiu flet mbi shortin e fazës së tretë, situatën në ekip si dhe pritshmëritë.

Sa e njeh Haxhiu ekipin dhe pse pranuat të merrni drejtimin e Besës?

Ju e dini se kam qenë në krah të Pashjes gjatë këtij sezoni dhe e njoh mjaft mirë cilësitë dhe vlerat e secilit. Një pjesë të tyre i kam stërvitur edhe më herët. Kjo ishte arsyeja, si besimi që ka Bizhdili tek unë më bënë të pranoja. Pastaj, nuk jam i ri në training, pasi kam drejtuar ekipe në Kosovë, si dhe me përvojë edhe në Kroaci.

E çfarë mendimi keni mbi Besën e sotme?

Është një grup mjaft i mirë, por është kompozuar vetëm pas janarit. Nga përvoja, kam mësuar se i duhet pak kohë futbollistëve sado cilësorë të jenë, që të reagojnë si grup. Te Besa ka futbollistë cilësorë, madje disa me të ardhme të mirë.

Çfarë emri do i vendosni rezultateve aspak të mira të Besës?

E kam thënë edhe kur isha në krah të Pashjes, se problem i vetëm ka qenë harmonizimi me lojën e të gjithë afrimeve. Ju e patë që sapo shënoi në dy takime, Mustafa Ba mungoi në Krujë, por patëm edhe disa mungesa të tjera. Duke parë humbjen me Kastriotin, ju siguroj se loja e pjesës së parë ka qenë më se e mirë. Jo vetëm shënuam, por na u anulua edhe një gol i pastër i Perjes. Pra, dua të them se përtej dy humbjeve të fundit me Bylisin e Kastriotin, Besa nuk ka çaluar në lojë, por në finalizim, prandaj po punojmë shumë pikërisht aty.

Kalendari i fazës së tretë është një ferr për Besën, ku e nisni me 3 kryesueset…

Shorti mbetet i vështirë pavarësisht radhës së kundërshtarëve. Për mua, se ku do të rreshtohet, ferr apo parajsë, Besa do t’ia përcaktojë vetes. Gjithçka do të varet vetëm nga angazhimi ynë dhe i askujt tjetër. Jam i kënaqur, ku me përjashtim të Dabos që u dëmtua në Krujë, e gjithë pjesa tjetër e grupit është e gatshme dhe po stërviten me dëshirë. E përsëris, se qoftë në fillim apo në fund, përballjet me Vorën, Bylisin apo Elbasanin nuk i shmangim dot. Ajo që Besa duhet të bëjë është loja e saj dhe të korrigjojë defektin e vetëm, shfrytëzimin e rasteve. Kthimi i Mustafa Ba, por edhe dy mesfushorëve të tjerë do të jetë një plus për ne. Do t’i marrim sfidat një e nga një pa mbivlerësuar asnjë nga kundërshtarët. Fundja ne i njohim dhe kemi luajtur si të barabartë me ta gjatë dy fazave.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"