Trajneri i Besës me “dhimbje koke” para Kastriotit, dy mungesa të sigurta dhe dy të tjerë në dyshim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2024 | 17:36

Trajneri i Besës me “dhimbje koke” para Kastriotit, dy mungesa të sigurta dhe dy të tjerë në dyshim

Besa vjen në takimin me krutanët, e fundit për fazën e dytë, pas humbjes 2-0 ndaj Bylisit. Kavajasit dolën “të sakatuar”, ku veç humbjes që në fund të pjesës së parë u ndëshkua me karton të kuq sulmuesi Mustafa Ba. Për rrjedhojë ai do të mungojë ndaj Kastriotit.

Besa duke festuar golin e shënuar nga Mustafa Ba ndaj Luzit

Sikur të mos mjaftonte kjo, trajneri Pashja nuk do të ketë në dispozicion edhe sulmuesin Spahiu, që pas rikthimit nga dëmtimi, pëson sërish një lëndim tjetër. Kështu që Besa në sulm varet nga adoleshenti Donat Mehmeti, i cili ka marrë disa minuta në ndeshjet e luajtura deri tani. Por “odiseja” e dëmtimeve, për fatin e keq të trajnerit Pashja nuk mbyllet këtu.

Veçmas grupit është stërvitur edhe mesfushori Kamohelo Hoala, që me shumë mundësi do të jetë mungesa e tretë e verdhezinjve për takimin e radhës. Në dyshim është edhe aktivizimi nga minuta e parë e qendërmbrojtësit Abdullai. Pesha e tij mund të mos ndihet, pasi në ekip është rikthyer pas dënimit Myslym Ramilli, që hyri si zëvendësues ndaj Bylisit.

Në këtë mënyrë, porta e prapavija pritet të jenë reparte të plotësuara e në formë, por mesfusha e veçanërisht sulmi mund të kenë probleme ndaj Kastriotit. Trajneri Pashja u ka thënë lojtarëve se ai ka besim që nëse ekipi luan me zemër dhe zbaton  detyrat e mundin Kastriotin.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"