Trajneri dha dorëheqjen para ndeshjes, klubi i Kategorisë së Parë gjen menjëherë zëvendësuesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2024 | 21:59

Trajneri dha dorëheqjen para ndeshjes, klubi i Kategorisë së Parë gjen menjëherë zëvendësuesin

Pas asaj me Bylisin, Besa pësoi humbjen e dytë, këtë herë ndaj Kastriotit. Kësaj humbje i parapriu edhe largimi i çuditshëm i trajnerit Lorenc Pashja, që nën drejtimin e Besës mori 4 fitore, 7 barazime dhe 10 humbje.

Pashja Besa

Dorëheqja e tij në prag të ndeshjes me Kastriotin ka ndikimin e vet psikologjik, por për kapitenin Skerdjan Perja, Besa meritoi më shumë përballë krutanëve. Madje, sipas tij, i është mohuar një gol mjaft i pastër me kokë.

“Të humbasësh ndaj Kastriotit nuk është diçka e paparashikuar dhe as që nuk pritet, por mënyra se si erdhi humbja, mendoj se ishte një rezultat që Besa nuk e meritoi. Zhvilluam një pjesë të parë shumë më të mirë se sa Kastrioti. Qarkulluam topin më së miri duke shënuar madje jo një, por dy gola. Mua mu mohua një gol me kokë, kur topi preku madje dhe rrjetën e brendshme të portës e doli jashtë.

Në pjesën e dytë ishte Kastrioti më mirë, pasi me sa duket mungesat tona bënë të vetën. Lojtarët dhanë maksimumin në pjesën e parë, por në të dytën mungesa e disa lojtarëve titullarë ndikoi në mungesën e përvojës. Me një Besë të plotë do të donim të administronim krejt ndryshe jo vetëm rezultatin, por edhe lojën”, përfundoi prononcimin për gazetën kapiteni Perja.

TRAJNERI I RI- Seanca e djeshme stërvitore është drejtuar nga trajneri i mirënjohur nga Kosova Fidaim Haxhiu, i cili punoi si ndihmës me Lorenc Pashjen. Të pyetur rreth mundësisë së afrimit të një trajneri të ri në vend të Lorenc Pashjes, burime nga presidenti Bizhdili saktësojnë se nuk është e nevojshme, pasi edhe Haxhiu është një trajner me përvojë jo të vogël në Kosovë, por edhe ka punuar në Kroaci.

Pra, deri në fund të këtij sezoni, Besa do t’i besohet trajnerit Fidaim Haxhiu që nuk do ta ketë të lehtë me kalendarin përpara. Kavajasit luajnë me Vorën jashtë dhe më pas presin Elbasanin, ndërsa të radhës me Bylisin kryesues.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"