Trajneri Bubeqi përgatitet për festë: Respekt për Kastriotin, por duam fitoren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2023 | 13:53

Trajneri Bubeqi përgatitet për festë: Respekt për Kastriotin, por duam fitoren

Seanca e djeshme shënoi fundin e përgatitjeve të Burrelit për ndeshjen ndaj Kastriotit, që do të zhvillohet sot në orën 16:00 në stadiumin “Liri Ballabani”. Atmosfera në radhët e matjanëve është mjaft e mirë dhe ky takim po pritet me shumë interes nga tifozët.

Bubeqi

Ndeshjet Burreli-Kastriotit, veçanërisht para viteve ’90-të, përjetoheshin si festë në qytetet respektive. Tifozëritë e dy skuadrave mbushnin stadiumet, por edhe sot parashikohet një numër i konsiderueshëm sportdashësish matjanë. Duke folur për ndeshjen me Kastriotin për “Panorama Sport”, numri një i pankinës matjane, Dorjan Bubeqi, shprehu besimin e tij se ekipi do të marrë një rezultat pozitiv.

“Skuadra është në gjendjen e saj më të mirë, pasi jemi përgatitur maksimalisht. E respektojmë kundërshtarin për emrin që ka, por ne do të hyjmë në fushën e lojës për të marrë pikët maksimale. Përveç Kurbneshit, që prej disa ditësh bën stërvitje të diferencuar, pjesa tjetër e skuadrës është gatshme për të dhënë më të mirën në ndeshjen e sotme”, deklaroi Bubeqi.

Një ditë para ndeshjes, skuadra është grumbulluar një nga hotelet e qytetit, për të qenë sa më e fokusuar te përballja me krutanët.

NDRYSHIMET Sipas shefit të klubit matjan, Marjan Lleshaj, me investimin e bashkisë së qytetit, këto ditë janë vendosur rreth 4000 stola në shkallët e stadiumit, si dhe janë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme ambientet e brendshme të “Liri Ballabanit”. Përveç tyre, janë instaluar edhe kamera në të gjithë perimetrin e stadiumit. Ndeshja me Kastriotin është e para për Burrelin në shtëpi këtë sezon.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"