Trajnerët me sytë nga sulmi, bomberët Rashford dhe Leva kanë shënuar nga 24 gola këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2023 | 9:56

Trajnerët me sytë nga sulmi, bomberët Rashford dhe Leva kanë shënuar nga 24 gola këtë sezon

Barcelona luan të ardhmen e saj në Ligën e Europës ditën e sotme. Skuadra katalanase viziton “Old Trafford”-in për të luajtur ndeshjen e dytë të “play off”- it kundër Mançester Junajtidit.

UEL_Barcelona_Man_United_Lewandowski_Rashford

Në “Teatrin e Ëndrrave” do të luhet për të prishur ekuilibrin e vendosur nga dueli i parë në “Camp Nou” 2-2. Dhe një nga faktorët që mund të prishë ekuilibrin është dueli i sulmuesve, Robert Levandovski dhe Markus Rashford, të cilët janë golashënuesit më të mirë të të dyja skuadrave. Polaku dhe anglezi vijnë në këtë përballje pasi kanë shënuar të njëjtën kuotë golash deri tani këtë sezon, 24. Bomberi i katalanasve është shënuesi më i mirë në La Liga me 15 gola, të cilëve u shton edhe 5 të tjerë në Champions, 2 në Kupën e Mbretit dhe 2 në Superkupën e Spanjës.

Rashford e ka tundur rrjetën 14 herë në Premier Ligë, por kjo nuk mjafton për të prirë listën e “Këpucës së Artë”, për shkak të rekordit stratosferik të sulmuesit të Mançester Sitit, Erling Haland, i cili ka shënuar 26 gola deri tani në kampionat. Sulmuesi i Junajtidit ka realizuar 4 gola në Ligën e Europës, 5 në Kupën e Ligës dhe 1 në Kupën FA. Anglezit i shtohen edhe 9 asiste ndaj 6 të Levandovskit, por polaku ka një mesatare më të lartë të golave. Leva i ka regjistruar këta 24 gola në 29 ndeshje, që përkthehet në një mesatare prej 0.83 golash për 90 minuta, ndërsa Rashfordit i duheshin shtatë ndeshje të tjera për të arritur të njëjtin numër, pra ka një mesatare prej 0.67 golash për ndeshje.

POLAKU – “Djajtë e Kuq” e barazuan ndeshjen e vajtjes në “Camp Nou” edhe falë golit të Rashfordit, i cili shënoi atë të barazimit momental 1-1, duke fituar duelin me Levën, i cili nuk shënoi në Spanjë dhe do të tentojë ta bëjë në Mançester golin e parë të karrierës së tij në Ligën e Europës. Fituesi i dy “Këpucëve të Arta” të fundit me respektivisht 41 dhe 35 gola, do të përballet me një Rashford, i cili ka shpërthyer me gjithë shkëlqimin e tij këtë sezon dhe është duke bërë edicionin më të mirë të karrierës së tij. Por ish-bomberi i Bajernit do të ketë të vështirë që të mbrojë edhe këtë sezon me sukses çmimin e golashënuesit më të mirë europian. Polaku është i gjashti në klasifikimin aktual, me 30 pikë, pas të paarritshmëve Haland (52 pikë), Pelegrino (37.5), Osimhen (36), Kejn (34) dhe Valencia (30). Por Rashford gjendet edhe më poshtë, ndërsa renditet i katërmbëdhjeti me 28 pikë.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"