“Tomorin e mposhtim”, Bellai: Bylisi, me meritë në vendin e parë
Pa ndryshime në formacionin titullar, Bylisi do të luajë sot në orën 13:30 ndaj Tomorit. Për transfertën e Beratit, për “Panorama Sport” përpara ndeshjes ka folur edhe trajneri Arian Bellai që thekson se të gjitha sfidat janë delikate dhe të vështira, pasi ekipet kanë eksperiencë, madje shumica e tyre kanë lënë gjurmë edhe në elitën e futbollit shqiptar.
Bellai, më i vështirë Flamurtari apo Tomori?
Të dyja janë ekipe shumë të vështira, janë emra të mëdhenj në futbollin shqiptar mbi të gjitha. Kanë lojtarë të ndryshëm dhe objektiva të ndryshëm dhe që të përbashkët kur luajnë me ne kanë një gjë, të na ndalin. Kështu që ne duhet të bëjmë maksimumin pse jo me dyfishin e kapacitetit duke bërë më të mirën në çdo fushë.
E ka Bylisi presionin e vendit të parë?
Ne jemi me meritë në këtë vend dhe që të jesh aty duhet që të mposhtësh edhe rivalët. Deri tani ne e kemi bërë më së miri këtë gjë. Ana psikologjike është shumë e rëndësishme në futboll. Djemtë i kam porositur thuajse në prag të çdo ndeshje, se duhet të mendojmë për betejën e radhës.
Ju kënaq edhe një pikë në Berat?
Ne luajmë kudo për të fituar, në çdo fushë, ndaj çdo kundërshtari. Është tjetër gjë sesi ekipi paraqitet në ndeshje, sepse loja ka të papriturat e veta. Kështu që, Tomorin e vlerësojmë për traditën, për kualitetin. Ka një tifozeri të zjarrtë dhe që e do dhe jeton me futbollin. Por ne jemi Bylisi, luajmë kudo për të fituar, me gjithë respektin që kam për kundërshtarët tanë kudo luajmë. E njoh forcën e djemve të mi dhe se si ata kanë punuar deri tani.
Rivalët janë ndalur javën e shkuar, i kënaqur për këtë favorizim?
Unë shoh punën e skuadrës sime, sepse më intereson ecuria jonë dhe përqendrimi në çdo ndeshje. Patjetër që edhe ndalesat e rivalëve na favorizojnë në pikavarazh dhe renditje, por më shumë na favorizon fakti që kemi bërë vetë mirë deri tani.
Ju pret një kalendar i ngjeshur në vijim…
Ne do përgatitemi dhe do i marrim takimet me radhë. Kupa ka tjetër specifikë e po ashtu edhe kampionati. Të bëjmë kujdes dhe të jemi vigjilentë. Më parë të luajmë dhe të kalojmë Tomorin sepse ka kohë të mendojmë për takimet e tjera dhe kalendarin në vijim.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"