Tomori vuan, ish-kapiteni Cilingiri vë “gishtin në plagë” mes kritikash: Askush nuk merr përgjegjësi, e trishtueshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2024 | 13:15

Tomori vuan, ish-kapiteni Cilingiri vë “gishtin në plagë” mes kritikash: Askush nuk merr përgjegjësi, e trishtueshme

Petrit Cilingiri, ish-kapiteni i Tomorit të viteve ’70-80, është një nga zërat më të fortë oponentë në futbollin beratas. Ai është rikthyer për të folur për “Panorama Sport” jo vetëm në lidhje me ecurinë e skuadrës, por edhe për të kërkuar që në çështjet organizative të klubit, të ketë një tjetër mendësi.

CILINGIRI

Më konkretisht, ish-kapiteni ka kërkuar më shumë mbështetje nga të gjithë faktorët, për të kontribuar në shpëtimin e skuadrës beratase nga situata kritike ku ndodhet.

ISH – KAPITENI – “Jam vërtetë shumë i shqetësuar për situatën ku ndodhet aktualisht Tomori. Keqardhja e të gjithë dashamirësve dhe mbështetësve të skuadrës sonë të zemrës është bërë e dyfishtë. Kjo edhe për shkak të indiferencës dhe mosmarrjes së përgjegjësisë. Që të jem më konkret, më duhet të ndaj shqetësimin dhe qëndrimin tim publik, por edhe të gjithë mbështetësve të Tomorit, duke iu drejtuar strukturave përgjegjëse në klub.

Në radhë të parë të marrin më shumë përgjegjësi në këto momente dhe jo të heshtin pa kuptim në një situatë dhe moment kritik që po kalon skuadra. Askush nuk flet, por edhe askush nuk merr përgjegjësi, dhe kjo është e trishtueshme. Në një kohë që skuadra dhe stafi teknik janë të mirëpaguar financiarisht nga taksapaguesit beratas, humbjet po vijojnë në seri. Askush nuk gjen dot rrugëzgjidhje për të dalë nga kjo situatë, edhe pse shanset matematike japin ende shpresë.

Më keq akoma, me veprimet jashtë logjikës së klubit, kur në një kohë që skuadra po del nga kategoria, hyrja në stadiumin e Beratit bëhet me bileta. Për mua është vërtetë një çmenduri, pasi në dijeninë time ka zero të ardhura nga biletat. Atëherë ku shkojnë ato pak bileta që shiten më së shumti për tifozeritë mike. Kjo praktikë negative në këto momente duhet të marrë fund. Dhe që nga ndeshja me Flamurtarin këtë javë, hyrja duhet të jetë e lirë, në mënyrë që të stimulohet mbështetja ndaj skuadrës në këto momente.

Tifozeria nuk duhet të spostohet vetëm në njërën anë të tribunës qendrore, sepse kjo i shërben më së shumti skuadrave mike. Forcat e mbikëqyrjes që garantojnë rregullin dhe qetësinë në stadium, të marrin më shumë përgjegjësi në organizimin dhe mbarëvajtjen e qetësisë në stadium”, u shpreh mes kritikash ish-kapiteni legjendë i Tomorit, “Mjeshtri i Sportit”, Petrit Cilingiri.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"