Tomori mund Shkumbinin në miqësore, beratasit afrojnë ish-futbollistin e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2021 | 18:23

Tomori mund Shkumbinin në miqësore, beratasit afrojnë ish-futbollistin e Partizanit

Tomori nuk po di të ndalet, vjen edhe Franc Lala. Qendërmbrojtësi u është bashkuar beratasve dhe pritet që në ditët e ardhshme të zyrtarizohet.

franc lala

Bëhet fjalë për një lojtar cilësor për prapavijën, që ka bërë mirë edhe kur luante te Partizani apo Korabi. Ai u aktivizua edhe në miqësoren që u zhvillua të shtunën në Peqin, duke e çuar numrin e të afruarve në 12.

MIQËSORJA – Shkumbini priti Tomorin të shtunën, në një miqësore që u mbyll me shifrat 0-1. Skuadra peqinase u pa e rinovuar dhe Artan Bano ishte munduar të ndërtojë një formacion të alternuar mes futbollistëve vendës dhe të huaj, që janë ende në provë. Bledar Sinella pati një ekip më të konsoliduar, derisa kanë ruajtur pjesën më të madhe të skuadrës që vjet ishte pranë realizimit të ëndrrës “Superiore”. Ishte pikërisht eksperienca dhe njohja e lojës së njëri-tjetrit që bëri diferencën në fushë, ndonëse kanë vetëm disa ditë që kanë nisur përgatitjet.

ss

Sfida ka nisur e shpejtë, aq sa pa kaluar 3 minuta Barjamaj përfiton nga një gabim në mbrojtje dhe realizon fare pranë portës. Vendësit mundohen të reagojnë dhe shkojnë shumë pranë barazimit, por Harremi bën shpëtimtarin për këtë pjesë. Në fraksionin e dytë pati rrotacion. Tomori hodhi në fushë të gjithë stolin, ndërsa te peqinasit u aktivizua Sushin, një mesfushor japonez. Loja ishte e fortë, por u ndie disi lodhja fizike edhe për shkak të temperaturave të larta. Gjatë një dyluftimi, mesfushori i beratasve, Shaqe, dëmtoi dy gishtat e dorës dhe u dërgua në spital pasi kishte nevojë për mjekim të specializuar. I gjithë takimi u mbyll me fitoren minimale të Tomorit.

Bano: Po pres përforcimet
Artan Bano po ndërton ekipin nga e para dhe e pranon që nuk është aspak e lehtë. Trajneri i Shkumbinit pas ndeshjes u shpreh se po pret ende përforcime. “Nuk është e lehtë që të ndërtosh një skuadër nga e para. Megjithatë, ne e kemi marrë përsipër këtë së bashku me drejtuesit dhe themi që deri tani kemi arritur të ndërtojmë boshtin e skuadrës, megjithëse kemi ende shumë punë. Jemi ende në pritje të përforcimeve. Djemtë në përgjithësi luajtën mirë”, tha lushnjari.

SINELLA: KEMI AFRUAR CILËSI

Bledar Sinella vlerëson ruajtjen e grupit, por edhe afrimet e bëra në merkato. Trajneri mendon se Tomorit i është shtuar cilësia, ndërsa nuk ngurron që të flasë edhe për objektivat. “Prej pak ditësh kemi nisur përgatitjet, por e rëndësishme është që kemi ruajtur pjesën më të madhe të skuadrës. Kemi afruar disa lojtarë cilësorë, të cilët do të rritin konkurrencën. Në lidhje me objektivat, është klubi që do t’i përcaktojë. Ne bëjmë vetëm detyrën”, u shpreh kavajasi.

FATMIR AHMETI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"